Nuk janë të rralla rastet kur zyrtarët policorë ballafaqohen me kërcënime serioze nga qytetarë në qytete të ndryshme të Kosovës. Shpesh herë pakënaqësitë e tyre kalojnë në kërcënime, duke ua vështirësuar kështu punën e madje duke ua kërcënuar edhe jetën.
Një rast i tillë ka ndodh edhe në Prizren, konkretisht në rrugën “Fan Noli”, ku një qytetar i ka kanosur disa policë derisa ishin duke e kryer punën e tyre.
Media merr vesh se i dyshuar për rastin është Misin Basha, 29 vjeçar, person me të kaluar kriminale.
Sipas burimeve, i dyshuari nuk ishte ndalur pas urdhrit të patrullës policore, fakt ky që i ka bërë Policinë ta ndjekin atë – derisa e kanë kapur.
Pas këtij momenti, i dyshuari që ka qenë nën ndikimin e alkoolit i ka kërcënuar zyrtarët policorë.
Për pasojë, Basha është arrestuar nga Policia e Prizrenit.
Pas intervistimit, me urdhër të prokurorit ndaj tij është iniciuar rasti për veprat penale ‘Kanosje’ dhe ‘Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare’.
Po ashtu ai është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Media kishte raportuar gjatë verës për Misin Bashën, emër ky i njohur për organet e rendit.
Ai ka të kaluar kriminale për plot raste që lidhen me veprat për substanca narkotike, vjedhje e kanosje, “Lëndim trupor” e po ashtu edhe për “Dhunë në familje”.