“Konflikti i interesit”, Buleshkaj: Kemi përparime, por rastet po rriten

Aktuale

“Konflikti i interesit”, Buleshkaj: Kemi përparime, por rastet po rriten

Më: 11 dhjetor 2024 Në ora: 13:46
Foto nga takimi

Konflikti i interesit po konsiderohet sfidë e madhe për shoqërinë kosovare, ndërsa edhe rastet e raportimit të kësaj dukurie janë rritur në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit.

Kështu u tha sot në tryezën me temën “Parandalimi i konfliktit të interesit: Parakusht për besim në institucione”, e organizuar nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK), diskutim ky i cili po zhvillohet në kuadër të Javës së Integritetit 2024.

Në këtë takim ishin të pranishëm zyrtarë për parandalimin e konfliktit të interesit nga të gjitha institucionet në vend, të cilët u konsideruan edhe filtri i parë për parandalimin dhe luftimin e kësaj dukurie.

Drejtori i i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, Yll Buleshkaj tha se si Agjenci kanë bërë përparime në luftimin e konfliktit të interesit, por që sfidat sipas tij vazhdojnë.

Buleshkaj tha se së shpejti do ta lansojnë sistemin ku do të mund të raportohen në mënyrë elektronike shkeljet e ndryshme përfshirë edhe ato të konfliktit të interesit.

Buleshkaj: Konflikti i interesit është sfidë mjaftë e madhe

“Konflikti i interesit është sfidë mjaftë e madhe, sidomos duke pas parasysh shoqërinë tonë e cila është një shoqëri relativisht e vogël duke pas parasysh komunitetet ku ne punojmë në rastet e mëdha janë komunitete të vogla dhe lehtë të bie në gjendje të konfliktit të interesit... Shumë shpejt do ta lansojmë një sistem ku raportohen në mënyrë elektronike secila shkelje duke përfshirë edhe shkeljet potenciale për konflikt interesi ku qytetarëve, zyrtarëve, secilit i jepet mundësia që të raportojë për rastet e mundshme të konfliktit të interesit... Kemi përparime, por rastet po rriten... se pse po rriten a është ky rezultat që ka më shumë konflikt interesi apo ndoshta është një rezultat që qytetarët edhe zyrtarët publikë janë vetëdijësuar më shumë se çka është konflikti i interesit dhe tashmë raportojnë më shumë këto raste. Ne po besojmë që është e dyta”, theksoi ai.

Naser Shamolli nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike tha se zyrtarët për parandalimin e konfliktit të interesit janë filtri i parë që e parandalon konfliktin e interesit.

Sipas tij, ndonëse ka ligje që parandalojnë konfliktin e interesit, ekzistojnë probleme strukturore për luftimin e kësaj dukurie.

Shamolli: Zyrtarët për parandalim të konfliktit të interesit - filtri i parë për parandalim

“Problemet janë strukturore, ne kemi një ligj që rregullon shmangien e konfliktit të interesit, por kemi edhe dy-tri ligje që janë bazike, si ai për zyrtarët publikë ka disa filtra që flet për shmangie në konfliktin e interesit... Është kurciale që këta persona të jenë objektiv dhe të zbatojnë ligjin në fund të ditës, ju sa e kuptova jeni zyrtarë përgjegjës për të shmangur konfliktin e interesit, me u thënë të drejtën shpresa jeni ju për shkak se Agjencia ka një departament, megjithatë Agjencia nuk mund ta ketë specializimin specifik se çka ndodh në Doganë të Kosovës, në Ministri të Bujqësisë, në universitet publik, prandaj filtri i parë jeni, filtri i dytë dhe i fundit është Agjencia... I shoh problematike këto opinionet që jepen edhe që për të shmangur një përgjegjësi direke adresa e parë është departamenti ligjor nëse nuk ka shpëtim këtu kalohet tek agjencia”, tha Shamolli.

Nga Policia e Kosovës, Lirim Osmani thotë se si institucion me numër të madh të punonjësve është sfidues aspekti i shmangies së konfliktit të interesit, por ai thekson se kanë rregulla që parandalojnë këtë dukuri.

Osmani: Kemi rregulla që parandalojnë konfliktin e interesit

“Si organizatë e madhe që kemi afër 10 mijë punonjës brenda organizatës është goxhaa sfiduese kjo çështje, por për Policinë e Kosovës ajo që e ka bërë më të lehtë gjatë krejt kësaj periudhe prej formimit të saj e deri sot është se prej fillimit ka paraparë rregulla që parandalojnë konfliktin e interesit edhe më herët... Është Kodi Penal në fuqi që e ka paraparë si vepër penale konfliktin e interesit dhe kjo e ka lehtësuar edhe më shumë këtë çështje që në të kaluarën derisa nuk ka ekzistuar si vepër penale ka qenë vetëm rregullativë e brendshme, tash janë të dyja, që nuk mund të thirret dikush në emër të asaj që ‘nuk e kam dit’”, thotë Osmani.

Çmimin për Autoritetin Përgjegjës të Dalluar e ka marrë zyrtarja për parandalimin e korrupsionit në Administratën Tatimore të Kosovës, Albulena Stublla-Krasniqi.

Në Kosovë po shënohet Java kundër Korrupsionit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat