Bashkëpunimi Serbi-Gjermani shihet me kritikë nga shumë ekspertë dhe politikanë.
Thomas Hacker, zëdhënësi për politikën evropiane dhe raportuesi për Ballkanin Perëndimor i grupit parlamentar të FDP-së, tashmë në opozitë, u shpreh i shqetësuar me rastin e vizitës së presidentit serb Aleksandar Vuçiq në Saksoni.
Në një prononcim shpërndarë për median gjermane, politikani liberal i frikësohet mashtrimit në të cilin mund të bie kancelari gjerman Olaf Scholz.
“Shpresoj shumë që kancelari Scholz të mos jetë mashtruar nga presidenti Vuçiq, i cili është i njohur për manipulimin e opinionit publik dhe shpifjet ndaj kritikëve”, tha Hacker, shkruan DW.
Hacker gjithashtu vuri në dukje se Gjermania është kundër hapjes së Kapitullit 3 në negociatat e anëtarësimit të Serbisë në BE, për shkak të mungesës së progresit në çështjet themelore.
E ky reagim vjen pasi presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz, ishin së bashku për vizitë në Saksoni të Gjermanisë për të njohur Serbinë me metodat e qëndrueshme dhe miqësore ndaj mjedisit për nxjerrjen e litiumit, një burim kyç për prodhimin e baterive të automjeteve elektrike.
Universiteti i Minierave në Freiberg është një lider ndërkombëtar në kërkimet për teknologjitë e qëndrueshme të nxjerrjes.
Institucioni ka zhvilluar metodën COOL, që jo vetëm shmang emetimet e CO2, por gjithashtu përdor energji të ripërtëritshme dhe siguron që materiali i nxjerrë të jetë menjëherë i gatshëm për prodhimin e baterive, pa nevojë për përpunim shtesë.
Gjatë takimit në Freiberg, kancelari gjerman Olaf Scholz ka siguruar mbështetjen e Gjermanisë për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE.
Ai sidomos theksoi rëndësinë e marrëdhënieve të mira fqinjësore, veçanërisht ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.
“Ne do të përpiqemi të lehtësojmë normalizimin e këtyre marrëdhënieve dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë edhe në të ardhmen. Për mua personalisht, kjo çështje ka një përparësi të lartë”, tha Scholz.
“Ka marrëveshje të arritura, të cilat shpresoj që të zbatohen hap pas hapi. Ju e njihni Marrëveshjen e Ohrit”.