Radoiçiq pret vendimin për aktakuzën në Serbi, reagon BE: Beogradi të sigurojë përgjegjësi të plotë për...

Aktuale

Radoiçiq pret vendimin për aktakuzën në Serbi, reagon BE: Beogradi të sigurojë përgjegjësi të plotë për...

Më: 11 dhjetor 2024 Në ora: 14:11
Milan Radoiçiq

Bashkimi Evropian ka thënë se është në dijeni të njoftimit të Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd se së shpejti do të merret vendim për aktakuzën kundër Milan Radojçiqit.

Kështu është bërë e ditur për Radion Evropa e Lirë, edicionin në gjuhën serbe nga Brukseli, duke kujtuar se nga  Serbia pritet të “sigurojë përgjegjësinë e plotë për autorët e sulmit në Banjskë”.

“Kjo nënkupton ndjekjen penale dhe sjelljen në gjykatë të të dyshuarve që ndodhen në Serbi dhe sigurimin e bashkëpunimit të plotë në hetimin e sulmit”, tha zëdhënësja e BE-së, Anita Hipper.

Kryeprokurori i Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd, Nenad Stefanoviq, tha më 2 dhjetor se vendimi për të paditur Radojçiqin, i cili mori përgjegjësinë për sulmin ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë, do të merret në fund të këtij viti ose në fillimi i vitit 2025.

Njoftimi erdhi një ditë pasi kryeministri i Kosovës Albin Kurti i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të ushtrojë presion ndaj Beogradit për ekstradimin e ish-nënkryetarit të partisë më të madhe serbe në Kosovë në Prishtinë.

Siç raporton REL-i, disa vende anëtare të Bashkimit Evropian insistojnë në ndjekjen penale të Radojçiqit dhe personave  tjerë përgjegjës për sulmin në Banjskë si kusht për zhbllokimin e negociatave për anëtarësimin e Serbisë.

Kujtojmë se më 24 shtator të vitit të kaluar, një pjesëtar i Policisë së Kosovës mbeti i vrarë kur persona të armatosur, rreth 30 sosh, sulmuan njësitet policore në fshatin Banjskë – zonë e banuar me shumicë serbe në veri të vendit.

Policia e Kosovës pasi mori nën kontroll manastirin në fshatin Banjskë gjeti një sasi të madhe armatimi dhe mjetesh ushtarake, në mesin e tyre edhe automjete me mbishkrimin KFOR.

Përgjegjësinë për organizimin e grupit të armatosur e pati marrë Millan Radojçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve të Kosovës. Ai u lirua nga Gjykata e Lartë e Serbisë, një ditë pasi u ndalua nën dyshimet se ka kryer një sërë veprash – përfshirë trafikim armësh dhe krime kundër sigurisë së përgjithshme.

Radojçiq, ndodhet tashmë në sistemin e organizatës më të madhe ndërkombëtare të policisë, INTERPOL për urdhërarrest. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat