Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, tha se operatorët ekonomikë e kanë humbur shpresën që mund të marrin kontrata pa u korruptuar.
“Sot, operatorët ekonomikë e kanë humbë shpresën se mund të marrin kontrata pa u korruptu ndaj organizatave buxhetore. Nuk ofertojnë”, tha Bajrami.
Këto deklarime, ajo i bëri në tryezën e organizuar të mërkurën nga Iniciativa për Progres (INPO), në të cilën u prezentua raporti “Katalizatorët e korrupsionit”- Praktikat që cenojnë integritetin e prokurimit publik.
“Kompanitë e përgjegjshme sot nuk ofertojnë, sepse është krijuar bindja se veç nëse ke lidhje shumë të forta se përndryshe s’ka. Për atë arsye shpallen tenderët i ke 2-3 oferta të papërgjegjshme edhe çka ndodhë, në rastin e KEK-ut për shembull shpallen të papërgjegjshme pastaj një nga ato të papërgjegjshmet ftohet edhe bëhet e përgjegjshme dhe e fiton kontratën”, shtoi ajo.
Bajrami foli edhe për çështjen e rezervave shtetërore dhe çështjen e mbajtjes sekret të tyre.
“Qysh ka mundësi që rezervat e grurit në vitin 2022 konsiderohen sekret shtetëror, thirren palë pa u shpallë tender, ndërkaq në vitin 2024 për rezervat e grurit tenderi ke i hapur. Ke komplet i hapur, çka ndërroi, ligji nuk ka ndërruar, asgjë nuk ka ndërruar”, tha deputetja.
Te menaxhimi i kontratave, ajo theksoi se organizatat buxhetore vetë mund të bëjnë listën e zezë të kompanive të cilat nuk kanë përfunduar punët sipas kontratave.
“Pse duhet një Autoritet Kontraktues me pritë deri në fund të afatit me pa a po e kryn, sepse puna ndahet në afate kohore. nëse nuk e ka kry për 100 ditë as 10% të punës, e qysh ti e pret 400 ditë e ai nuk e ka kry as 10 % të punës e në fund ai del. E kemi shkollën e Pozharanit e cila ka 3-4 ndërrime, aty ende ndërrohen operatorët ekonomikë, vjen një i kryen disa pozicioine e largohet, vjen tjetri i kryen disa pozicione e largohet. Këto më pas shpërbehen në komuna të tjera. Ky është korrupsion, ne vetë mund dhe duhet t’i largojmë këta operatorë ekonomikë”, shtoi ajo.