Shumica parlamentare në legjislaturën e fundit ka pamundësuar punën e komisioneve hetimore parlamentare. Kështu thotë raporti i Institutit të Kosovës për Drejtësi “Mos efikasiteti i hetimit parlamentar (Mungesë e vullnetit dhe problemet ligjore)”, ku kërkohet nga Kuvendi të fillojë ndryshimin e Ligjit për hetimin Parlamentar. Opozita ka akuzuar partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje, për degradim të proceseve hetimore parlamentare.
Naim Jakaj, hulumtues i lartë pranë Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD) theksoi se komisionet hetimore “kanë ndërtuar” një kulturë të konfrontimit, ku janë përcjellë me përplasje të vazhdueshme ndërmjet deputetëve.
“Në disa raste, shumica parlamentare ka refuzuar formimin e komisioneve kur kjo është kërkuar nga 1/3 e deputetëve, duke shkelur kështu detyrimet ligjore dhe kushtetuese që kërkojnë ngritjen e tyre pa u varur nga vullneti i deputetëve të tjerë. Ky refuzim përbën shkelje të qartë të ligjit për hetim parlamentar dhe pengesë serioze të funksionimit demokratik të Kuvendit. Në disa raste në legjislaturën e tetë, shumica parlamentare ka pamundësuar punën e komisioneve përmes bojkotit dhe mungesës së kuorumit duke vonuar procesin hetimor dhe nxjerrjen e përfundimeve. Përkundër gjetjeve dhe raportit të miratuar nga kuvendi, ta zëmë për çështjen e gylenistëve atëherë, as Qeveria as Kuvendi nuk kanë arritur t’i adresojnë problemet dhe të miratojnë Ligjin për të huajt për më shumë se pesë vjet”, deklaroi Jakaj.
Jakaj tha se kanë evidentuar edhe të metat në Ligjin për hetim parlamentar, për çka tha se duhet të fillojnë ndryshimet.
“Konsiderojmë që Kuvendi duhet në një afat sa më të shpejtë të nisë ndryshimet e nevojshme [për Ligjin për Hetimin Parlamentar]. Një ndër problemet kryesore kanë qenë paqartësitë në përcaktimin e kompetencave të komisioneve, kufizimin që grupit nismëtar mos t’i takojë kryesimi, qartësimi i detyrimit për themelimin e komisionit hetimor parlamentar nga 1/3 e deputetëve, mungesën e afateve kohore të qarta për hetimet dhe kufizimin në qasjen e dokumenteve apo dëshmitarëve”, shtoi ai në publikimin e raportit.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, ka kritikuar partinë në pushtet për degradim të hetimit parlamentar.
"Klasa politike që sot udhëheq me vendin më së paku ka qasje për të vendosur apo për të avancuar demokracinë parlamentare në Kosovë. Përvoja ime në këtë kontekst është një evoluim negativ të zhvillimit të proceseve hetimore brenda Kuvendit. Në vend që të ndodhë e kundërta, sepse me thënë të drejtën edhe Kosova si demokraci e re, nuk është se ka pasur përvojë të madhe dhe njohuri rreth asaj se çfarë në fakt janë komisionet hetimore. A mund të zëvendësojnë komisionet hetimore – organet hetimore, ndjekëse? Absolutisht jo...Sa më shumë kemi kaluar në kohë, aq më keq kemi pësuar, ka degraduar ky proces”, tha Selmanaj.
Edhe deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj ka akuzuar pozitën për arrogancë e mungesë të llogaridhënies.
"Ne jemi ofenduar edhe që nuk po dimë të bëjmë opozitën ose ‘ejani t’ju mësojmë se si të bëheni opozitarë si duhet’. Kjo situatë ka ardhur edhe te niveli i pyetjeve parlamentare, ku është njëra prej të drejtave themelore të opozitës lidhur me sqarimin e situatës dhe kërkesën e përgjegjësisë nga ana e qeverisjes. Kemi ardhur në këtë situatë, kemi arrogancën, e cila ka nënkuptuar që nuk pranojmë të na japin përgjigje në pyetje parlamentare. Pra, pozita, ekzekutivi nuk japin llogari Kuvendit të Kosovës që i ka zgjedhur në ato pozita. Bëhen jo ekzekutiv, mbi legjislativ. Kjo është një prej veçorive që e ka karakterizuar këtë mandat qeverisës”, përfundoi Dreshaj.