Ligji për sigurime shëndetësore krijon kushte për investime të qëndrueshme

Aktuale

Ligji për sigurime shëndetësore krijon kushte për investime të qëndrueshme

Më: 11 dhjetor 2024 Në ora: 15:39
Pamje nga konferenca

Krijimi i “Ligjit Kombëtar të Sigurimeve Shëndetësore, si një mundësi për Shërbimet e Sektorit Shëndetësor në Kosovë” ishte tema kryesore për të cilën u diskutua në pjesën e dytë të konferencës vjetore të organizuar nga Asociacioni i Spitaleve Private të Kosovës (ASPK), ku po marrin pjesë rreth 29 spitale private.

Përveç kësaj, në këtë konferencë e cila bëri bashkë sektorin publik e privat të shëndetësisë u theksua rëndësia e implementimit të Ligjit për Sigurime Shëndetësore dhe bashkëpunimi ndërmjet sektorit publik dhe atij privat të Kosovës.

Kryetari i Asociacionit të Spitaleve Private në Portugali, Oscar Gaspar tha se në Portugali shumica e shërbimeve, ofruesve, duke përfshirë spitale, laboratore e barna janë privat. Porse potencoi se komponenta kryesore e financimit është publike.

Ai tha se në Portugali rreth 30 për qind e financimeve bëhen drejtpërdrejt nga vetë pacientët, kur shkojnë tek ofruesit privat apo konsumojnë barna.

“Në Portugali shumica e shërbimeve, ofruesve janë privat dhe po flasim për spitale, laboratore, diagnostifikime, barna. Ofrimi bëhet nga sektori privat, por komponenta kryesore e financimit është publikë. Që do të thotë se me 66 për qind, dy e treta shkon në sektorin privat. Nën mesataren e BE-së, diku 2008 euro për kokë banori ne vit investohen, në grafiken e dytë thotë që njerëzit shpenzojnë diku 5 për qind të BPV-së në kujdesin shëndetësor. Në Portugali dikur 30 për qind e financimeve financohen drejtpërdrejt nga vetë pacientët, kur shkojnë tekë ofruesit privat apo konsumojnë barna. Pra 30 për qind prej xhepit kjo është një shifër e madhe dhe duhet ta zvogëlojmë këtë…”, tha Gaspar.

Drejtori i Fondit për Sigurime Shëndetësore, Amir Keka tha se bashkëpunimi mes sektorit publik dhe privat të shëndetësisë është një mundësi që mund të sjellë shumë përfitime për pacientët dhe sistemin shëndetësor në përgjithësi.

Ai shtoi se me fillimin e implementimit të Ligjit për Sigurime Shëndetësor do të evitohen shumë sfida.

“Bashkëpunimi mes këtyre sektorëve është një mundësi që mund të sjellë shumë përfitime pwr pacientët dhe sistemin shëndetësor në përgjithësi. Sektori publik i cili përgjegjësinë kryesore e ka ofrimin e shërbimeve për të gjithë qytetarët dhe sektori privat që shpesh ofron mundësi të shpeshta dhe fleksibilitet mund ta plotësojnë njëri-tjetrin për ta krijuar një sistem shëndetësor më efikas. Ky bashkëpunim mund të ndihmojë në promovimin e një qasje të integruar të sistemit shëndetësor për të zhvilluar programet e edukatës për shëndetin dhe për të krijuar mundësi të reja për trajtimin e sëmundjeve kronike, parandalimin e problemeve shëndetësore… Ne si Fond i Sigurimeve Shëndetësore jemi zotuar dhe e kemi dëshmuar se jemi të gatshëm për bashkëpunim për arsye se siç e dini aktualisht ne kemi si funksion kryesor programin për trajtime mjekësor jashtë institucioneve publike shëndetësore dhe me mbështetjen financiare qe e ofrojmë për pacientët tanë”, tha Keka.

Ndërkaq, kryetari i Odës Ekonomike në Kosovë, Lulzim Rafuna potencoi se sigurimi shëndetësor i popullatës, me theks të veçantë i punonjësve është një parakusht themelor për rritjen e qëndrueshme ekonomike dhe zhvillimin e përgjithshme të vendit tonë.

“Si anëtar të Këshillit Nacional për Sigurinë dhe shëndetin në punë dhe të Këshillit Ekonomiko Social, edhe pse momentalisht nuk janë funksionale, OEK do të ishte një partner kyç dhe do të jetë një partner kyç në të ardhmen kur do të funksionalizohen këto këshilla në lidhje me sigurimin shëndetësor. Ne besojmë se këto forume janë platforma më të domosdoshme për të garantuar një koordinim efektiv dhe për të ndihmuar në arritjen e objektivave të përbashkëta për mirëqenien dhe sigurimin e punonjësve dhe mbarë qytetarëve të Republikës së Kosovës. Sigurimi shëndetësor i popullatës, me theks të veçantë i punonjësve është një parakusht themelor për rritjen e qëndrueshme ekonomike dhe zhvillimin e përgjithshëm të vendit tonë. Punonjësit e shëndetshëm ndihmojnë që kompanitë të jenë me produktive dhe kompanitë produktive janë forca lëvizëse e përparimit ekonomik të shtetit të Kosovës”, potencoi Rafuna.

Drejtori i Odës Amerikane në Kosovë, Arian Zeka tha se zbatimi i Ligjit për Sigurime Shëndetësore paraqet një mundësi të rëndësishme për transformimin e sistemit të kujdesit shëndetësor në Kosovë.

Derisa potencoi qëndrimin e OEK-ut, Zeka tha se përpara se të fillojë zbatimi i këtij ligji është me rëndësi që autoritetet përkatëse të bëjnë të gjitha përgatitjet e nevojshme.

“Zbatimi i këtij ligji paraqet një mundësi të rëndësishme për transformimin e sistemit të kujdesit shëndetësor në Kosovë. Jo vetëm që hap rrugë për qasje në të madhe dhe cilësore në shërbimet shëndetësore për qytetarët tanë por në të njëjtën kohë mundëson edhe forcimin e shërbimeve ne sektorin privat në kujdesin shëndetësor…Ngjarjet si këto theksojnë rëndësinë e dialogut të hapur dhe vazhdueshme të bashkëpunimit në frymëzimin e të ardhmes të sistemit shëndetësor të Kosovës. Ligji i Sigurimeve Shëndetësore ofron një kornizë që mundësojnë bashkëpunimin ndërmjet aktorëve në sektorin publik dhe atij privat, bashkë me ligjin për shëndetësi në të njëjtën kohë…Ligji për sigurime shëndetësorë krijon kushte për investime të qëndrueshme, infrastrukturë të përmirësuar dhe ofrimin e përmirësuar të shërbimeve në të njëjtën kohë. Partneriteti ndërmjet hisedarëve në sektorin publik dhe privat është esencial për arritjen e një sistemi më të…Megjithatë është qëndrim i Odës Amerikane që përpara se të fillojë zbatimi i ligjit është me rëndësi që autoritetet përkatëse të bëjnë të gjitha përgatitjet e nevojshme”, tha Zeka.

Ligji për sigurimet shëndetësore është miratuar në dy leximet në seancën e fundit të Kuvendit të Kosovës.

Asociacioni i Spitaleve Private në Kosovë (ASPK) ka bërë bashkë sektorin publik dhe privat të shëndetësisë duke organizuar konferencën vjetore tashmë të përvitshme, me c’rast po marrin pjesë rreth 29 përfaqësues të spitaleve private të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat