Pak ditë pas aktakuzës së re, Vlora Çitaku shkon për vizitë te Thaçi në Hagë

Aktuale

Pak ditë pas aktakuzës së re, Vlora Çitaku shkon për vizitë te Thaçi në Hagë

Më: 11 dhjetor 2024 Në ora: 16:20
Vlora Çitaku, Sekretare e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës

Vlora Çitaku, Sekretare e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, ka njoftuar se sot ka udhëtuar drejt Hagës, ku është takuar me ish-presidentin e vendit Hashim Thaçi, për të cilin ajo ka thënë se është ‘‘një burrë që ka mbajtur mbi supe ëndrrat dhe sakrificat e një populli, të një shteti’’.

Çitaku ka theksuar se ‘‘besimi i palëkundur i Presidentit Thaçi në drejtësinë e luftës çlirimtare të Kosovës shkëlqente më fort se kurrë’’.

Ajo po ashtu ka thënë se këtë herë, në këtë vizitë ajo ka qenë e prekur thellë nga zhvillimet e fundit me procedurën gjyqësore.

Postimi i plotë:

Sot, udhëtova edhe një herë drejt Hagës për të vizituar një burrë që ka mbajtur mbi supe ëndrrat dhe sakrificat e një populli, të një shteti, Presidentin Hashim Thaçi.

Unë, posaçërisht këtë herë, isha e prekur thellë nga zhvillimet e fundit me procedurën gjyqësore, ndërsa besimi i palëkundur i Presidentit Thaçi në drejtësinë e luftës çlirimtare të Kosovës shkëlqente më fort se kurrë, edhe brenda këtyre mureve. 

Një gjë, le të jetë e qartë për të gjithë: Hashim Thaçi mishëron shpirtin e luftës sonë për liri e pavarësi, guximin e atyre që dhanë gjithçka për këtë tokë dhe besimin e patundur se e vërteta gjithmonë triumfon.

Sot, si gjithmonë, ai qëndron i fortë, duke mbrojtur nderin dhe dinjitetin e popullit tonë. 

Rruga e Kosovës drejt lirisë nuk ishte kurrë e lehtë, por ishte gjithmonë e drejtë. Asnjë gjykatë nuk mund ta ndryshojë të vërtetën e një lufte të drejtë për liri. 

Ne mbetemi të palëkundur, pranë tyre dhe të përkushtuar për drejtësi.  

Për Hashimin. Për Kadrinë. Për Çlirimtarët tanë. Për Kosovën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat