Juristi Shkelzen Sopjani ka komentuar deklaratën e ambasadorit amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i cili ka thënë se ende nuk ka prova se kush mund ta ketë kryer sulmin ndaj kanalit të ujit në Ibër-Lepenc.
Ai ka theksuar se asnjëherë nuk do të ketë prova konkrete për të vërtetuar se sulmi ka ardhur nga Serbia.
Sipas Sopjanit, kritikat e ambasadorit kanë qenë gjithnjë në rritje ndaj Qeverisë për shkak të disa veprimeve që dëmtojnë demokracinë në vend.
Në emisionin FIVE, Sopjani ka vlerësuar se qëndrimet e ambasadorit Hovenier kanë kaluar në një fazë të re të kritikave ndaj Qeverisë së Kosovës, duke theksuar se “në fillim, deklaratat ishin më të buta, mirëpo me kalimin e kohës kritikat janë përshkallëzuar”.
Sipas tij, zhgënjimi i ambasadorit është i justifikueshëm.
“Deklarata nuk është e befasishme mirëpo e kemi parë këto vitet e fundit ka pasur përshkallëzim të deklaratave, nëse mund të themi kështu, ia pati nisur shumë butë në fillim të mandatit, mirëpo shkojke duke u përshkallëzu kritika me theks të veçantë ndaj Qeverisë, dhe çdo deklaratë tregoi më pak zhgënjim ndaj Qeverisë së Kosovës. Dhe a ka të drejtë me këtë zhgënjim besoj që ka, sepse i shoh disa veprime jo të shëndosha për demokraci, veprime që në natyrë janë tipike popullsitë ne esencë nuk i bëjnë mirë demokracisë apo Kosovës”, ka deklaruar Sopjani.
Nga ana tjetër, njohësi i çështjeve ndërkombëtare, Driton Lajçi ka theksuar se roli i ambasadorëve është të përçojnë dhe zbatojnë politikat e shteteve që përfaqësojnë, dhe nuk duhet parë ndryshe.
“Ambasadorët nuk krijojnë politika, ata zbatojnë interesat dhe qëndrimet e shteteve të tyre”, ka theksuar ai.