Haxhiu-Kryeziut: Ftesa e Kurtit nga Specialja s’ka të bëjë me fushatë

Aktuale

Haxhiu-Kryeziut: Ftesa e Kurtit nga Specialja s’ka të bëjë me fushatë

Më: 11 dhjetor 2024 Në ora: 19:24
Bekim Haxhiu

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka thënë se ftesa për dëshmi e kryeministrit Kurti nga Prokuroria Speciale nuk ka të bëjë me politikë dhe fushatë.

Ai i është kundërpërgjigjur kështu zëdhënësit të Qeverisë Perparim Kryeziu, i cili në një postim në Facebook tha se përmes kësaj ftese po tentohet ndikimi në rezultatin e zgjedhjeve të 2025.

Sipas tij kjo çështje ka të bëjë me atë që “gjithsecili duhet të japë përgjegjësi dhe llogari për veprimet e tij”.

“Po i përgjigjem zëdhënësit të Qeverisë që në zgjedhjet e kaluara nuk e ka penguar askush Albin Kurtin të kandidojë për deputet, e kanë penguar veprat e tij të dhunshme që i ka bërë edhe në Kuvend edhe kundër Policisë së Kosovës dhe ka pasur vendim gjyqësor për atë punë. Dhe në një shtet ligjor institucionet e drejtësisë janë të pavaruara dhe unë besoj në një shtet ligjor të së drejtës dhe këtu ska çka të përzihet kjo me politikë dhe as që ka të bëjë me fushatë, kjo çështje është që gjithsecili duhet të japë përgjegjësi dhe llogari për veprimet e tij”, ka deklaruar Haxhiu.

Haxhiu tutje ka shtuar se Kurti duhet të mbajë përgjegjësi nëse ka vendosur që me nënshkrimin e tij të shmanget procedura e tenderimit për blerjen e rezervave shtetërore.

“Nëse Albin Kurti ka vendosur që me nënshkrimin e tij të shmanget procedura e tenderimit për blerjen e rezervave shtetërore dhe t’i dhurohen 10 milionë euro mikut të tij Ridvan Muharremit për ti blerë ato rezerva shtetërore e rezervat shtetërore nuk arrijnë në Kosovë, atëherë sigurisht se mban përgjegjësi për atë. Nuk besoj se është tendencë për ta penguar atë në procesin zgjedhor, nuk besoj se ka gjëra të tilla që mund të ndodhin, sepse gjithsecili duhet të japë llogari për veprimet e tij”, ka shtuar ai.

Ndryshe, kryeministri, Albin Kurti është ftuar për dëshmi nga Prokuroria Speciale. Këtë e ka bërë të ditur zëdhënësi i Qeverisë Përparim Kryeziu.

Kryeziu tha se në zgjedhjet e kaluara kishte një vendim gjyqësor i cili ia kishte pamundëuar kandidimin në garën zgjedhore të 14 shkurtit, kurse sipas tij, përmes kësaj ftese po tentohet ndikimi në rezultatin e zgjedhjeve të 2025.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat