Nga thyerja e gjymtyrëve e deri në alivanosje janë pasojat që nxënësit e disa shkollave në komuna të Kosovës, kanë pësuar duke realizuar sfidën Superman e nxitur nga rrjeti social Tik Tok.
Visar Islami nga Këshilli i prindërve të Kosovës, thotë se kjo situatë është shqetësuese, meqë vazhdimisht ka sfida të tilla që nxiten nga ky rrjet social.
“Në sfidën e fundit e kemi dy nxënëse në Lipjan që i kanë thyer duart, kemi rast në Ferizaj po ashtu i njëjti është në Prishtinë, Kamenicë, në Dukagjin dhe kjo është bërë tash si sfidë si rivalitet mes shkollave edhe tash kush po e bënë këtë lojën më mirë, dhe po e pësojnë nxënësit, dikush po e then këmbën dikush dorë, ka alivanosje sepse bihet me kokë”, ka theksuar Visar Islami – Këshilli i Prindërve të Kosovës.
Ai është i pajtimit që institucionet duhet të diskutojnë edhe mbylljen e këtij rrjeti social.
Në anën tjetër Muahmet Gjoka, drejtuesi i kolegjiumit të arsimit në Asociacionin e Komunave, thotë se kanë marr të gjitha masat për të parandaluar rastet e tilla.
“Drejtoritë komunale të arsimit kanë mobilizuar të gjithë mekanizmat brenda shkollave por edhe në drejtoritë komunale të arsimit, përfshirë edhe institucionet e sigurisë për arsye që të koordinohemi që të parandalojme rastet e tilla, ne jemi duke mbajtur edhe sesione informuese që të i vetëdijësojmë që këto sfida janë të rrezikshme”, ka deklaruar Muhamet Gjoka- Kolegjiumi i drejtorive të arsimit të komunave.
Sfidat e tilla sikurse kjo, sipas psikologut Ilir Havolli përveç lëndimeve fizike, shkaktojnë pasoja edhe në shëndetin mendor tek të miturit.
“Fëmijët apo personat adoleshentë të cilët i përdorin këto sfida duke ju përshtatur bashkëmoshatarvë, kuriozitetit, presionit dhe dëshira për tu përshtatur atyre nuk arrinë dot që të analizojnë rreziqet të paraqesin sfidat.Pasojat pastaj janë fatale me lëndime serioze, por edhe lëndime të shëndetit mendore, sepse këta njerëz me kalimin e kohës, përjetojnë edhe ankth e depresion”, ka deklaruar Havolli.
Në lidhje me numrin e rasteve që janë raportuar në nivel të Kosovës, dhe për veprimet e ndërmarra nuk kanë kthyer përgjigje nga Ministria e Arsimit e as nga Policia e Kosovës.
Gjatë muajit tetor, dhjetëra nxënës, ishin vetëlënduar me mjete të mprehta, si pasojë e një loje tjetër në rrjetin social Tik tok.