Shtatë deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, nuk janë përfshirë në asnjë listë zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, duke nxitur spekulime dhe diskutime mbi arsyet që qëndrojnë pas këtij vendimi.
Por sipas vetë deklarimeve të tyre, disa prej këtyre deputetëve kanë deklaruar publikisht se vendimi për të mos garuar ka motive personale dhe nuk ka të bëjë me hatërmbetje apo pakënaqësi ndaj partisë dhe strukturave të saj.
Ata kanë theksuar se do të vazhdojnë të mbështesin parimet dhe qëllimet e Lëvizjes Vetëvendosje edhe pse nuk do të jenë të angazhuar drejtpërdrejtë politikisht.
Në anën tjetër, një pjesë e deputetëve të larguar kanë shprehur synimin për të lënë politikën, duke e konsideruar të përfunduar kontributin e tyre në skenën parlamentare.
Burim Meta – ka kritikuar dy bashkëkryetarët e partisë “Guxo”, Donika Gërvalla dhe Faton Peci, duke i akuzuar ata se kanë kthyer partinë në një “satelit” të Lëvizjes Vetëvendosje, duke e humbur identitetin e saj të pavarur.
Meta ka theksuar në Tv Dukagjini se përçarja ka ndodhur për shkak të interesave personale të dy liderëve, të cilët, sipas tij, kanë anashkaluar interesat e partisë dhe kanë ndjekur agjenda të tjera.
Fitim Uka – ka marrë vendimin për t’i dhënë fund karrierës së tij politike dhe për t’iu kthyer profesionit të tij të mëparshëm në fushën e edukimit dhe psikologjisë.
Jahja Kokaj – ka deklaruar se ka vendosur të mos kandidoj më për deputet për shkak të dukurive jo korrekte, si që janë sharjet e ngjashëm.
Tinka Kurti – ka deklaruar se ka vendosur të mos rikandidoj në zgjedhjet e ardhshme.
“Kjo nuk ma lëkund besimin e angazhimin. Mbase përkundrazi, ka me qenë më e lehtë me u angazhu në fushatë por jo për vete”, ka shkruar Kurti.
Arta Bajralia – ka sqaruar se është vendim personal për të mos rikandiduar në këto zgjedhje.
“Dua të theksoj se ky vendim është marrë pas një reflektimi të gjatë dhe nuk e ndryshon aspak përkushtimin tim ndaj LVV apo ndaj vizionit të saj transformues”, ka shkruar Bajralia.
Jashta listave zgjedhore kanë mbetur edhe deputetët Gazmend Gjyshinca, Ekrem Mustafa e Yllza Hoti nga të cilët ende nuk ka pasur ndonjë reagim publik deri në publikimin e këtij artikulli.
Në Kuvendin e Kosovës nuk do të jetë as deputeti Fatmir Humolli, i cili ishte larguar më parë nga LVV për të vazhduar si deputet i pavarur në Kuvendin e Kosovës.
Derisa në lista zgjedhore nuk janë përfshirë as dy ministra të qeverisë që vijnë nga Lëvizja Vetëvendosje.
Besnik Bislimi ka shpjeguar se ai do të jetë Shef i Shtabit Zgjedhorë të LVV-së, derisa ende nuk ka ndonjë reagim publik nga Liburn Aliu pse ai nuk është përfshirë në listat zgjedhore.