Pas njoftimit të Prokurorisë Speciale të Kosovës për ftesën e kryeministrit Albin Kurti për të dëshmuar më 16 dhjetor në lidhje me rastin e rezervave shtetërore, ka reaguar zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu.
Në një postim në Facebook, Sallahu ka vënë në dukje faktin se ish-presidenti Hashim Thaçi dhe ish-kryetari i Kuvendit Kadri Veseli nuk janë thirrur për intervistim nga Prokuroria Speciale, pavarësisht se, sipas tij, ata kanë dhënë deklarata të rrejshme nën betim në një rast të mëparshëm gjyqësor.
“Pse nuk është thirr Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli për intervistim nga PSRK, kur në Gjykatë në cilësinë e dëshmitarëve patën dhënë deklaratë të rrejshme nën betim kinse Albin Kurti dhe Glauk Konjufca kanë qenë të lidhur me organizatën inekzistente “Syri i Popullit”?
Deklaratat e tyre të rrejshme janë të transkriptuara dhe kanë qenë pjesë e kallëzimit penal kundër tyre.
Dhënia e deklaratave të rreme nën betim është vepër penale”, ka shkruar Sallahu.
Më herët deputeti i VV-së, Salih Zyba, ka akuzuar prokurorinë për ftesën ndaj Kurtit.
“Ish-prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Elez Blakaj, u pat larguar nga Kosova në vitin 2018 pasi kishte hetuar dhe ngritur aktakuza për keqpërdorimet në rastin e njohur si ‘listat e veteranëve të rrejshëm’. Ai nuk arriti me i thirrë dëshmitarët fare sepse dihej ku do të dërgoheshin ftesat. E në vend se të ndiqeshin shkelësit, u ndoq ai nga Kosova. Gjashtë vjet po kalojnë dhe askush nuk u thirr për hetimet e ish prokurorit Blakaj.
Ftesa për ata mungon sepse mungojnë prokurorët që e hetojnë krimin. Këta që ja dërguan ftesën Kryeministrit, duan largimin tonë e rikthimin e tyre. Por pas 09 shkurtit shkojnë së bashku: konfiskimi i pajustifikuar i pasurisë dhe vetingu i justifikuar i drejtësisë”, ka shkruar Zyba.