Deputeti Burim Meta ka bërë kritika ndaj bashkëkryetarit të partisë “Guxo” dhe ministrit të Bujqësisë, Faton Peci, duke e akuzuar për dështim në menaxhimin e partisë dhe dikasterit që ai udhëheq.
Meta theksoi se Peci ka dëmtuar rëndë partinë “Guxo” teksa ka shtuar se në Ministrinë e Bujqësisë është përqendruar vetëm në menaxhimin e granteve dhe subvencioneve.
“Edhe këtë vetëm për t’i mbajtur interesat e tyre brenda kësaj strukture, këtij kapaciteti të madh të VV-së kanë rrënuar gjithçka. Në secilin takim zoti Peci ka trumbetuar se unë do të jem i fundit në Guxo, ai budallai i fundi në Guxo po se ju të gjithë largohen… është i vetmi person i cili më së shumti ka dëmtuar partinë Guxo. Tërë kohën na ka lodhur se si unë me subvencione me grante. Ai i ka tri katër dikastere brenda ministrisë dhe fokus i tij ka qenë vetëm aty ku janë grantet dhe subvencionet. Pylltarinë e gjerat e tjera janë të rrënuara”, ka thënë Meta.
Meta e krahasoi rolin e presidentes Vjosa Osmani në partinë “Guxo” me atë të Ibrahim Rugovës në LDK, duke theksuar se Osmani është e zhgënjyer me Gërvallen e Pecin.
“Jashtëzakonisht shumë (e zhgënjyer me Pecin e Gërvallen). Edhe jo vetëm me ata dy. Vjosa Osmani është për partinë Guxo, si Ibrahim Rugova për LDK-në”, ka shtuar Meta.