Deputetja e VV-së, Arta Bajralija, ka treguar arsyet pse nuk është përfshirë në listën e kandidatëve të kësaj partie për deputetë.
Ajo ka bërë me dije se moskandidimi ishte vendim i saj personal.
Në profilin e saj në “Facebook”, ajo ka treguar se do të vazhdojë të jetë pjesë e VV-së.
“Me publikimin e listës së kandidatëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, dëshiroj të sqaroj se arsyeja pse emri im nuk është pjesë e kësaj liste është vendimi im personal për të mos rikandiduar në këto zgjedhje. Dua të theksoj se ky vendim është marrë pas një reflektimi të gjatë dhe nuk e ndryshon aspak përkushtimin tim ndaj Lëvizjes VETËVENDOSJE! apo ndaj vizionit të saj transformues. Gjatë viteve sa isha pjesë e Kuvendit të Kosovës, pata privilegjin të përfaqësoj qytetarët dhe të jem pjesë e vendimmarrjeve të rëndësishme për vendin tonë. Ishte një përvojë e jashtëzakonshme që më mësoi shumë dhe më dha mundësinë të jap kontributin tim për ndryshimet që kemi pritur prej kohësh”, ka shkruar Bajralija.
Ajo është shprehur krenare me punën që ka bërë në këtë mandat në Kuvend.
“Jam krenare për punën dhe arritjet tona të përbashkëta. Edhe jashtë Kuvendit, angazhimi im për Lëvizjen VETËVENDOSJE! dhe për kauzat tona të përbashkëta do të vazhdojë aty ku është më e nevojshme. Rruga për zhvillim dhe drejtësi kërkon përpjekje të vazhdueshme, dhe unë mbetem e përkushtuar ndaj këtij rrugëtimi. Faleminderit për besimin dhe përkrahjen tuaj të vazhdueshme gjatë këtij rrugëtimi! U bëj thirrje të gjithë qytetarëve që më 9 shkurt 2025, ta votojnë pakusht Lëvizjen VETËVENDOSJE! dhe ta mbështesin fuqishëm Kryeministrin e tanishëm Albin Kurti, i cili do t’i prijë listës fituese dhe fitores së madhe”, ka shkruar ajo.