Kryeministri Kurti në Kroaci pritet me ceremoni, ja çka diskutoi me kryeministrin e Kroacisë

Aktuale

Kryeministri Kurti në Kroaci pritet me ceremoni, ja çka diskutoi me kryeministrin e Kroacisë

Më: 13 dhjetor 2024 Në ora: 12:30 Përditësuar në ora: 15:15 më 13.12.2024
Pamje nga takimi

Këto janë marrëveshjet që u nënshkruan sot mes Kosovës dhe Kroacisë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti po qëndron për vizitë zyrtare në Kroaci, ku është pritur nga homologu Andrej Plenkoviq.

Fillimisht, në një takim të përbashkët dhe pastaj me delegacionet përkatëse, kryeministri Kurti dhe kryeministri Plenkoviq biseduan rreth marrëdhënieve të shkëlqyeshme bilaterale ndërmjet shteteve dhe popujve të dy vendeve. Bashkë diskutuan për marrëveshjet që u nënshkruan sot dhe për marrëveshje të reja të mundshme që do ta zgjeronin bashkëpunimin në fushën e sistemit të drejtësisë, kulturës dhe arsimit, njofton Qeveria e Kosovës në një njoftim për media.

Siç bëhet e ditur, në Kroaci u nënshkrua zotimi për Themelimin e Qendrës për Studime Albanologjike “Milan Šufflay” në Universitetin e Zarës. Qendra për Studime Albanologjike “Milan Šufflay” do të shërbejë si një platformë hulumtuese për promovimin e gjuhës, historisë, arkeologjisë dhe kulturës shqiptare, duke i kushtuar një vend të veçantë trashëgimisë së veprës së historianit dhe albanologut të shquar Milan Šufflay.

Temë qendrore e bisedë ishin gjithashtu bashkëpunimi ekonomik dhe shkëmbimet tregtare, me ç’rast diskutuan për mundësitë dhe fushat me potencial për investime të huaja. Kryeministri Kurti e njoftoi homologun e tij për ofertën e Kosovës për investitorë të huaj, krahas zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, përparimit demokratik, stabilitetit institucional dhe përmirësimit në sundimin e ligjit që ka shënuar vendi në vitet e fundit.

Në fund të takimit, u nënshkruan marrëveshje për:

-Sigurimet shoqërore dhe Protokollin zbatues;

-Njohjen dhe shkëmbimin e patentave të shoferëve;

-Bashkëpunimin në mbrojtjen kundër fatkeqësive natyrore, teknike dhe teknologjike;

-Memorandumin e Mirëkuptimit për bashkëpunim mes agjencive tona të forenzikës;

-Memorandumin e Mirëkuptimit ndërmjet Akademisë Policore të Kroacisë dhe Akademisë së Kosovës për Siguri Publike për forcimin e bashkëpunimit në fushën e arsimit dhe kërkimit shkencor.

“Kosova dhe Kroacia ndajnë një miqësi të sinqertë, partneritet të fortë dhe aleancë të shëndetshme, që bazohet në vlera të përbashkëta demokratike, përkushtimin ndaj paqes dhe sigurisë në rajon dhe orientim të qartë euro-atlantik. Kroacia, me shembullin e saj të guximshëm, me popullin e saj që luftoi dhe derdhi gjak për çlirim, është frymëzim për të gjitha kombet, të cilët aspirojnë liri, pavarësi, demokraci, integrim dhe zhvillim ekonomik e mirëqenie për qytetarë. Me këtë rast, edhe ne jemi krenarë me shqiptarët që kanë marrë pjesë në luftën çlirimtare të Kroacisë, 2832 gjithsej, me ç‘rast 87 janë vrarë dhe pesë janë ende të zhdukur. Janë dy gjeneralë nga Kosova, të cilët morën pjesë në luftën çlirimtare, Rrahim Ademi dhe Agim Çeku, ndërkaq, Tomë Berisha në shtator të vitit 1991, në Gospiq, e pati formuar Brigadën e Luftëtarëve Shqiptarë, në mesin e të cilëve kanë qenë edhe Nevxhet Haziri e Fehmi Lladrovci. Pra, ne kemi qenë bashkë shumë më herët dhe në rrethana shumë më të vështira se sa këto që i kemi e i gëzojmë në këtë shekull.

Për ne, Kroacia është një partner kyç rajonal dhe referencë për zhvillim. Jemi mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme të popullit kroat, edhe para luftës, gjatë luftës e pas saj, por gjithashtu edhe në etapat rreth pavarësimit të Kosovës e konsolidimit tonë ndërkombëtar”, tha Kurti

Kryeministri i Kroacisë: Dialogu Kosovë-Serbi gjithsesi duhet të përfundojë me njohje reciproke

Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, në një konferencë për media bashkë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ka folur për ngjarjet dhe incidentet në Veri të Republikës së Kosovës, duke thënë se Kroacia i ka përcjellë me shumë shqetësim dhe ka thënë se do të ketë një analizë të thellë për to nga shteti kroat.

Plenkoviq tutje ka thënë se Kroacia beson tek dialogu Kosovë-Serbi që do të përfundojë me normalizim të raporteve mes dy shteteve dhe gjithsesi të përfundojë me njohje reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“E kam përmendur që ky incident s’është i ri, ka pasur tri së paku sulme që kanë ndodhur dhe sa i përket Kroacisë, do të analizohen shumë thellësisht dhe janë marrë me shumë shqetësim. Besojmë tek dialogu Kosovë-Serbi që të rezultojë me normalizim të marrëdhënieve dhe gjithsesi të përfundojë me njohje reciproke.

Dhe të çojë tek pozita që Kosova të marrë rrugëtimin e saj adekuat drejt BE-së. Procesi mund të mos jetë I shpejtë për shkak të 5-shes që vazhdojnë të mos e njohin Kosovën”, ka thënë Plenkoviq.

Kurti flet në Kroaci për sulmin në Ibër Lepenc: Besojmë që është mbështetur dhe orkestruar nga Serbia

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë të përbashkët me homologun e tij kroat, Andrej Plenkoviq, tha se Kroacinë e sheh si partner kyç.

Ai ka folur për sulmin në Ibër Lepenc është i ri nga natyra, pasi “kësaj radhe në shënjestër ishte popullsia civile”

“Më herët kemi pasur sulme ndaj Policisë së Kosovës, kemi pasur sulme ndaj ndërtesave zyrtare komunale por kësaj radhe në shënjestër është popullsia civile sepse furnizimi me ujë dhe prodhimi i energjisë elektrike që është jetik edhe për qytetarë dhe bizneset kanë qenë në shënjestër”, tha ai.

Ai tha se për këtë sulmin si të dyshuar se janë arrestuar disa persona dhe se hetimet po vazhdojmë.

Kurti shtoi se është konfiskuar armatim dhe municion.

“Duhet të presim se cili do të jetë përfundimi i këtyre hetimeve. Por ne konsiderojmë që gjithçka tregon që këtë nuk e kanë bërë qytetarët e zakonshëm dhe se na bën të besojmë që një sulm i këtillë vjen i mbështetur dhe orkestuar nga Serbia siç ishte edhe rasti me sulmin në Banjskë apo atë me sulmin e KFOR’it në maj 2023 apo rrëmbimi i tre policëve tanë në Leposaviq në qershor 2023”.

“Nervoza në Beograd po përkthehet në agresivitet kundër Ksoovës meqë nuk e kontrollojnë Kosovën më atëherë mbështeten sulme të këtilla terroriste”, vazhdoi ai.

Kurti pritet me nderime të larta nga Plenkoviq

Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq ka pritur kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti me nderime të larta shtetërore.

Të dy kryeministrat kanë zhvilluar një takim të përbashkët.

Teksa pritet edhe nënshkrimi i marrëveshjeve ndërmjet dy vendeve në fushën e sigurimeve sociale, për njohje të ndërsjellë të patentë shoferëve, për bashkëpunim në mbrojtje nga fatkeqësitë natyrore, teknike dhe teknologjike, dhe bashkëpunim në fushën e mjekësisë ligjore.

Pas Kroacisë, kryeministri Kurti udhëton për në Slloveni. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat