Në çështjen gjyqësore kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, më 11 dhjetor trupi gjykues ka miratuar pjesërisht kërkesën e Prokurorisë për t’i pranuar dëshmitë e nëntë dëshmitarëve me shkrim. Kjo u bë e ditur përmes konferencës javore të DhSK-së nga zëdhënësi Michael Doyle.
Po ashtu, gjatë kësaj konferencë u tha se më 9 dhjetor, trupi gjykues miratoi kërkesën e një dëshmitari për të dhënë dëshmi me masa mbrojtëse përmes videolidhjes, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ndërsa në çështjen Salih Mustafa, sipas zëdhënësi Doyle, Kryetarja e DHSK-së caktoi një panel të Gjykatës Supreme, më 10 dhe 11 dhjetor, për të vendosur lidhur me dy kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë: përkatësisht një nga Mustafa dhe një nga Prokuroria.
“Të dyja kërkesat lidhen me vendimin e Gjykatës së Apelit me titull Vendim për Lëshimin e një Vendimi të Ri Dënimi për Salih Mustafën. Z. Mustafa pretendon se paneli i Gjykatës së Apelit ka shkelur ligjin në përcaktimin e dënimit për akuzën e vrasjes së paligjshme dhe i kërkon Panelit të Gjykatës Supreme të caktojë dënim më të ulët për këtë akuzë, ose t’ia kthejë panelit kompetent për vendim të ri. Prokuroria kundërshton ligjshmërinë e dënimit me 15 vjet të dhënë nga Dhoma e Apelit si tepër të ulët dhe i kërkon Panelit të Gjykatës Supreme t’ia kthejë çështjen Panelit të Apelit për të caktuar një dënim të ri”, tha Doyle.
Gjatë kësaj konference u fol edhe për aktakuzat kundër Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Fadil Fazliut, Isni Kilajt dhe Hajredin Kuçit, akuza që lidhen me pretendime për përpjekje të paligjshme për të ndikuar ndaj dëshmive të dëshmitarëve.