Kandidati për deputet nga Nisma Socialdemokrate Veseli Krasniqi ka deklaruar se qytetarët po kërkojnë ndryshim nga katër vitet e kaluara me qeverisjen Kurti.
Veseli në një intervistë tha se banorët e vendit e kanë vërejtur se nuk kemi asnjë zhvillim qoftë në aspektin e zhvillimit ekonomik apo të diplomacisë së jashtme.
“Jemi në fazën përgatitore të fushatës zgjedhore dihet mirëfilli që zgjedhjet janë përcaktuar nga presidentja e vendit muaj më parë dhe gradualisht kanë filluar subjektet politike të futen në garën e zgjedhjeve të 9 shkurtit dhe Nisma Socialdemokrate ka filluar të shpalos programin e saj tek qytetarët dhe votuesit e saj përmes aktivistëve dhe jemi në fazën ku jemi duke i takuar aktivistët nëpër komuna të ndryshme. Sipas asaj që vërejmë, tashmë edhe në koalicion me AAK-në, mirëpo edhe përmes liderit tonë Limaj jemi duke e parë që në terren është një frymë shumë pozitive, e cila po kërkon ndryshimin sepse për katër vite, po vërehet që nuk kemi asnjë zhvillim qoftë në aspektin e zhvillimit ekonomik, të diplomacisë së jashtme kemi dështuar në këtë aspekt”, deklaroi Veseli.
Veseli beson se do të kthejnë dinjitetin e organit më të lartë të shtetit që është Parlamenti i Kosovës.
“Është diçka e dukshme që tashmë kemi filluar të kontaktojmë elektoratin tonë për tre vite mund të themi që opozitari i vetëm ka qenë kryetari Limaj përmes debateve televizive ku ka shpalosur fakte dhe argumente nga qeveritë e kaluara dhe kanë fituar një besueshmëri dhe ajo tashmë po vërehet në terren dhe ka një përafrim bukur të madh të elektorale me programin e Nismës Socialdemokrate. Ne mendojmë të kthejmë dinjitetin e organit më të lartë të shtetit që është Parlamenti i Kosovës, sepse e keni vërejtur që deputetët që punë të parë janë në pozitë dhe marrin pagën si deputet i Parlament të Kosovës, janë futur shumë persona që kanë qenë nëpër OJQ dhe e kanë humbur atë imazhin dhe vlerën e të qenit deputet i Kuvendit”, theksoi nënkryetari i komunës së Malishevës për EO.
Ai tha se do ta kthejnë besimin te pensionistët, arsimtarët, mjekët, policët e ushtarët, pasi sipas tij këto shtresa janë nënçmuar nga kjo Qeveri.
“Ne mendojmë përmes njerëzve që kanë vlerë dhe dinjitet ne do ta kthejmë dinjitetin, duke qenë deputet i Parlamentit të Kosovës do të jemi në shërbim për të kthyer mirëqenien e qytetarëve sepse është humbur besimi tek institucionet e Kosovës, qoftë tek Parlamenti, Qeveria për faktin sepse kjo Qeveri nuk i ka dëgjuar shqetësimet e qytetarëve, përkundrazi me kryeneçësinë e saj vazhdon edhe më tutje të mos përfillë interesat e tyre. Ne mendojmë që do ta kthejmë besimin tek pensionistit, arsimtarët, mjeku, polici e ushtari që ju e dini mirë skandalet që kanë ndodhur gjatë kësaj qeveri me këto shtresa të cilat janë të nënçmuar nga kjo Qeveri”, ka thënë ai.
Veseli tha se përmes Fatmir Limajt ndryshimi po vjen jo vetëm brenda diasporës, por dhe në diasporë.
“Përmes programit dhe zërit tonë liderit tonë bashkë me neve do ta kthejmë imazhin dhe vlerën tek Parlamenti, por sigurisht do ta kthejmë edhe mirëqenien e qytetarëve. Ne mendojmë që po ashtu nuk është nganjëherë numrat me rëndësi çka janë individët, përmes Fatmir Limaj ndryshimi po vjen e kemi parë diasporës por edhe brenda vendit, që Fatmir Limaj me punën, faktet e tij dhe bagazhin së bashku me AAK-në ne mendojmë që jemi subjekti vendimmarrës dhe përcaktues tek qeveria e ardhshme me neve do të bëhet ndryshimi”, përfundoi ai.