Burim Ramadani, i cili këto ditë ka publikuar librin me titull “Në luftë hibride”, ka sqaruar në termat më të thjeshtë këtë koncept, që kohëve të fundit ka nisur të përdoret shumë edhe te ne si fjalë.
Ramadani ka promovuar librin e tij të fundit, ndërsa ka shpjeguar në termat më të thjeshtë se çka është lufta hibride.
“Lufta hibride është një koncept i ri, i cili në dekadën e fundit, për ta thjeshtësuar me pak fjalë: është luftë e formës tjetër, e cila ka synim të shpërndajë shpërqendrim, konfuzion, manipulim, dezinformim, lajme të rrejshme, përçarje në popullatë, delegjitimim dhe destabilizim të vendeve, para se kjo të përcillet me formën klasike të luftës”, tha Ramadani.
Ai shtoi se qëllimi i luftës hibride është ta përgatitë terrenin në një shtet për një luftë konvencionale ose luftë klasike.
“Luftë hibride bëjnë shtetet ose organizatat, ose akterët joshtetërorë armiqësorë dhe pastaj vendosin se si ta konfuzojnë popullatën e atij shteti”, shpjegoi Ramadani.