Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila në një konferencë për media ka reaguar pasi Partia Demokratike e Kosovës ka dërguar sot 16 ligje në Gjykatën Kushtetuese të miratuara para pak ditësh në seancën e Kuvendit të Kosovës.
Kusari-Lila në konferencë deklaroi se PDK është pozicionuar kundër qytetarëve të Kosovës.
“Atë çfarë pamë sot, pamë se kjo parti janë pozicionuar kundër qytetarëve të Kosovës, duke përdorur Gjykatën Kushtetuese për interesa personale dhe grupore”, u shpreh ajo.
Tutje, ajo tha se pas secilit ligji që kanë dërguar në Kushtetuese, ruhet interesi i ndonjë individi të PDK-së.
“Duan të mbrojnë hajninë, e të duken sikur janë korrupsionit. Vendosin me dy këmbë të shkelin interesin e qytetarëve dhe të mbrojnë pasurinë e tyre që kanë fituar kundërligjshëm”, theksoi ajo.
Ligjet që PDK i ka dërguar në Kushtetuese janë: Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për kontabilitet, raportim financiar dhe auditim, Ligjin për Banka, Ligjin për Inspektoratin Qendror për Mbikëqyrjen e Tregut, Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit, Ligjin për shërbimet e pagesave.
Po ashtu në Kushtetuese kanë përfunduar Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Prokurorinë Speciale, Ligjin për Provimin e Maturës Shtetërore, Ligjin për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”, Ligjin për Gjykatën Administrative, Ligjin për financimin e menaxhimit të resurseve ujore, Ligjin për Inspektoratin qendror të mjedisit, ujërave, natyrës, ndërtimit si dhe për mbrojtjen nga rrezatimi dhe siguria bërthamore.
PDK po ashtu ka dërguar në Gjykatë edhe Ligjin për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore, Ligjin kundër dukurive negative në sport, Ligjin për banim social dhe të përballueshëm dhe Ligjin për Sigurime Shëndetësore.