Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar pas dërgimit në Kushtetuese të 16 ligjeve nga Partia Demokratike e Kosovës.
Shefja e Grupit parlamentar të VV-së Mimoza Kusari Lila në një konferencë për media sot, theksoi se opozita po e përdor Gjykatën Kushtetuese për interesa personale dhe grupore. Ajo tha se “çfarë kanë përvetuar kundërligjshëm në pushtet, duan ta mbrojnë me mekanizma ligjorë.”
Kusari-Lila: PDK është pozicionuar qartë kundër qytetarëve të Republikës
“Atë çfarë pamë sot me veprimin e fundit të Partisë Demokratike të Kosovës, pamë se kjo parti dhe ky grup parlamentar janë pozicionuar qartazi kundër qytetarëve të Republikës dhe interesit publik, duke përdorur Gjykatën Kushtetuese për interesat e tyre personale dhe ato grupore. Atë çfarë kane përvetësuar kundërligjshëm kur kanë qenë në pushtet, duan ta mbrojnë me mekanizma ligjorë tash nga opozita. PDK ka vepruar njëjtë, në fakt nuk është ndonjë veprim i ndryshëm prej veprimit të tyre sa kanë qenë në pozita qeveritare. Njëjtë po veprojnë edhe tani sikur dikur tash nga roli i opozitës. Mbrapa çdo ligji të dërguar në Gjykatën Kushtetuese gjatë këtyre katër vjetëve, ruhet një interes i një figure apo grupimi brenda këtij subjekti politik. Dy herë e kanë kontestuar Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës, për arsye se donin t’i mbronin njerëzit e tyre brenda këtij këshilli”, deklaroi Kusari-Lila.
Shefja e deputetëve të shumicës parlamentare shtoi se opozita po tenton ta shtyjë zbatimin e Ligjit për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
Kusari-Lila: Opozita nuk mund të justifikojë të ardhurat
“Tashmë e kontestuan edhe më herët Ligjin për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, sepse janë të gjithë të vetëdijshëm se kjo pasuri nuk mund të justifikohet mbi të ardhurat e të hyrat e çdo zyrtari publik, për arsye se ato të hyra dhe të ardhura janë publike dhe nuk ka asnjë matematikë që e shpjegon pasurinë e tyre enorme, shumë milionëshe, në raport me të hyrat që i kishin ndër vite. 16 ligje sot që janë dërguar në Gjykatën Kushtetuese e kanë vetëm një qëllim, mbrojtjen dhe zgjatjen e periudhës kohore nga zbatimi i Ligjit për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme”, tha ajo.
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje tha se dërgimi në Kushtetuese nga LVV dikur është bërë për të parandaluar “një të keqe për vendin.”
Kusari-Lila: VV ka dërguar ligje në Kushtetuese për të parandaluar një të keqe për vendin
"Secila tërheqje e paraleles me veprimet e LVV-së në kohën sa ishte në opozitë dhe krahasimi apo përsëritja e tyre nga ana e opozitës së sotme është i gabuar dhe nuk qëndron. LVV gjithmonë në veprimet e tyre ka bërë dërgimin e ligjeve në Gjykatën Kushtetuese për të parandaluar një të keqe për vendin, për të ruajtur sovranitetin dhe integritetin territorial. Këta, dikur pushteti sot opozita po mundohen të ndalin dhe ngadalësojnë të mirën e qytetarëve. Është një dallim përmbajtjesor. Nuk mund të krahasohet interesi i tyre sot, me argumentimin se ‘jo edhe ju si LVV ose si subjekt opozitar keni vepruar njëjtë’. Në seancën e fundit, as në përmbajtje as në procedurë nuk ka shkelje ligjore. Sikur të kishte shkelje do të ishin diskutuar prej shumë kohësh”, u shpreh Kusari-Lila.
Ajo u pyet edhe për listën për deputetë të LVV-së dhe mos-përfshirjen e ministrit të Mjedisit, Liburn Aliu.
Kusari-Lila: Mund të më pyetni vetëm për pesë emrat që kam propozuar
“Në listën për zgjedhjet e shkurtit, 9 shkurtit të vitit 2025 në listën fituese, LVV është bashkë me partinë Guxo dhe Alternativën, të cilën e përfaqësoj në profilin politik që e udhëheq në atë parti dhe mund të më pyetni vetëm për pesë emrat që kam propozuar në atë listë. Për pjesën tjetër besoj se përgjigjen dhe përgjegjësitë mund t’i kërkoni diku tjetër”, përfundoi ajo.
Shefja e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje deklaroi se të gjithë deputetët të cilët kanë konfirmuar që nuk do të garojnë në zgjedhjet e vitit të ardhshëm, do të jenë pjesëmarrës nëse do të mbahet ndonjë seancë.