Veprime të vonuara, a mund të ishte parandaluar sulmi në Ibër-Lepenc?

Aktuale

Veprime të vonuara, a mund të ishte parandaluar sulmi në Ibër-Lepenc?

Më: 13 dhjetor 2024 Në ora: 20:20
Foto ilustrim

Dy javë nga sulmi terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit janë ngritur pikëpyetje në lidhje me mundësinë e parandalimit të këtij akti.

Partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës thanë se inteligjenca ka dështuar në parandalimin e këtij rasti. Ndërsa njëjtë, për dështim në parandalimin e sulmeve në veri flitet edhe në raportin pas këtij akti të Institutit të Sigurisë “Prevent” që u bë publik ditë më parë.

Bekë Berisha, deputet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, njëherazi kryetar i Komisionit parlamentar për Siguri, thotë se pas Banjskës ku u arrit të futej gjithë ai armatim, edhe në rastin e Ibër Lepencit, strukturat e inteligjencës duhet të kishin informacione. 

“Në rastin e eksplodimit edhe ky mendoj se është dështim, është dashur të ketë informacione përpara, ne i kemi kapacitetet për të ruajtur infrastrukturën kritike, të kemi kujdes. Nëse nuk mundemi të mbrojmë me njerëz kufirin sepse është i gjatë, infrastrukturën kritike sidomos në veri duhet ta mbrojmë me policë apo zyrtarë statikë”, tha kreu i Komisionit Parlamentar për Siguri, Bekë Berisha.

Në analizën e ekspertëve të sigurisë, fillimisht duhet të kuptohet nëse ka pasur informacione paraprake për ndonjë sulm si ky në Ibër-Lepenc, pasi disa orë më përpara, edhe policia rriti masat e sigurisë në të gjithë vendin.

“Bazuar në veprime mund të themi që nuk do të ketë, as nuk do të duhet kërkuar në këtë periudhë, në këtë kohë, kërkesa për përgjegjësi për individët apo jo se derisa nuk ka ekzistuar informacioni në tërësi por vetëm si informacion hibrid mendoj që mekanzimi i sigurisë ka bërë më të mirën e mundshme sa i përket ndërmarrjes së veprimeve adekuate”, tha eksperti i sigurisë Drizan Shala.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ditë më parë tha se sulme terroriste ndodhin edhe në vendet më të zhvilluara se Kosova, ndërsa shtoi se janë të kënaqur me punën e institucioneve të sigurisë duke thënë se ka shumë akte të cilat parandalohen por që nuk bëhen të ditura për publikun. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat