Njohësi i sigurisë, Drizan Shala, ka folur për 6 vitet e para të themelimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).
Ai ka theksuar se për të përmbushur misionin dhe mandatin e saj, i cili ka si qëllim mbrojtjen dhe ruajtjen e integritetit territorial të Kosovës, është e domosdoshme të rritet buxheti i FSK-së.
Shala ka deklaruar se bazuar në kalkulimet dhe vlerësimet e rrethanave gjeopolitike, është e nevojshme që FSK të ketë mjetet dhe armatimet përkatëse për të përballuar sfidat.
“Duhet të rritet buxheti sepse në bazë të kalkulimeve dhe vlerësime e rrethanave gjeopolitike në konceptin e sigurisë, FSK duhet të përmbushet në aspektin ushtarak për mjetet përkatëse, armatimeve të ndryshme që përmbush me përpikëri misionin dhe mandatin që e ka për mbrojtën dhe integritetin territorial të Kosovës”, tha Shala.
Ai gjithashtu ka kritikuar Qeverinë për mosarritjen e një suksesi të dukshëm në avancimin e mëtejshëm të këtij plani gjithëpërfshirës, që synon përforcimin e kapaciteteve ushtarake të Kosovës.
“Qeveria aktuale nuk ka arritur ndonjë sukses për avancimin e mëtutjeshëm të këtij plani gjithëpërfshirës”, theksoi Shala.
Shala ka theksuar se FSK ka hasur në vështirësi logjistike, të cilat duhet të zgjidhen pas zgjedhjeve, për të mundësuar zhvillimin e mëtejshëm të forcave të sigurisë të Kosovës.
“I gjithë spektri politik janë një zëri që procesi i transformimit dhe mbështetja duhet të jetë për të arritur qëllimet. FSK ka pasur disa vështirësi në aspektin logjistik, kjo duhet të zgjidhet pas zgjedhjeve”, shprehet Shala.
Gjashtë vite pas formimit të Ushtrisë së Kosovës, kjo forcë tashmë ka objektivat e qarta të saja, siç janë anëtarësimi në organizatën më të fuqishme ushtarake në botë dhe të sigurisë së paqes, NATO-s.