Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka theksuar rëndësinë e lansimit të sistemit për mbikëqyrjen elektronike, duke e vlerësuar si një hap që ka për qëllim forcimin e masave mbrojtëse për viktimat dhe se dhunuesit do të mbikëqyrën nga shteti.
Haxhiu shpjegoi se ky sistem do të mundësojë që individët që kanë urdhra mbrojtës të jenë nën mbikëqyrje të vazhdueshme nga autoritetet, duke u garantuar viktimave mbrojtje të shtuar.
“Vlerësoj që është jashtëzakonisht e rëndësishme që ne në kuadër të 16 ditëve të aktivizimit të dhunës me bazë gjinore, kemi arritur që të lansojmë sistemin për mbikëqyrjen elektronike. Që përçon mesazh të qartë në dy drejtime së pari ndaj dhunuesve që ata do të mbikëqyren nga shteti kur kanë të vendosur vendime të gjykata pra urdhëra mbrojtës, përmes së cilës iu ndalohet që t’iu afrohen viktimës. Në anën tjetër përçon mesazh edhe tek viktimat që ato do të jenë të mbrojtura, por është jashtëzakonisht e rëndësishme që të bashkëpunojnë me institucionet e Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Haxhiu.
Pajisjet për mbikëqyrjen elektronike do të vendosen tek dhunuesit dhe viktimat, duke mundësuar përcaktimin e lokacionit të tyre dhe mundësinë që Policia e Kosovës të reagojë në kohë reale për të mbrojtur viktimat.
“Përmes pajisjeve te personi ndaj të cilit ka vendim të gjykatës në raport me mbikëqyrjen elektronike do të vendoset një hallkë në këmbë do ta mbajë me vete gjithnjë këtë pajisje, në të njëjtën kohë edhe viktima detyrohet që të mbahet një pajisje në mënyrë që të dihet lokacioni i saj dhe që Policia e Kosovës, që të jetë në gjendje që të mbrojë viktimat në këto raste. Duke qenë që ne sapo kemi filluar me këtë proces, ndonëse ligji është miratuar në vitin 2015. Tashmë, sipas informacioneve që ne i kemi nga Policia tashmë gjykata në momentin që lëshon urdhëra mbrojtës do të mund të kemi mbikëqyrjen e parë përmes sistemit elektronik”, ka thënë ajo.
Megjithëse ministrja Haxhiu tha se ka pasur përpjekje të mëparshme për implementim, ajo ritheksoi se ky është një mesazh i qartë për dhunuesit se do të mbikëqyren nga shteti, ndërsa viktimat do të kenë mbrojtje të sigurt.
“Besoj që po përçoj mesazh si institucione që dhuna në familje është përgjegjësi institucionale që nuk do të tolerohet dhe nuk mund të neglizhohet dhe na përket të gjithëve që të jemi bashkë dhe të angazhohemi në këtë drejtim. Mendoj që për të pasur parandalim dhe minimizim të këtyre rasteve duhet që të gjitha institucionet ta kryejnë detyrën e tyre, edhe fushatat të cilat po i bëjmë kundër dhunës në familje, të kenë impakt në shoqëri. Sepse roli i shoqërisë është i rëndësishëm, ky sistem do të ofrojë siguri për gratë në mënyrë që ato të mos ndihen të kërcënuara gjatë kohës ndaj dhunuesit që e ka paraqitur dhe ka raportuar, ka një mbikëqyrje dhe urdhër mbrojtës. Vlerësoj që ne do të arrijmë përmes këtij sistemi që t’i bëjmë gratë të ndihem më të sigurta, por duhet të ketë bashkëpunim me institucionet”, theksoi ministrja.
Ajo e vlerësoi këtë hap si të rëndësishëm, por apeloi që të gjitha institucionet të përmbushin detyrat me përgjegjësi.
“Ne kemi disa raste kur personat kanë pasur urdhrin mbrojtës e kanë shkelur atë, kemi pasur raste me fatalitet, prandaj që vlerësoj që në momentin që kemi këtë sistem do të jetë e pa mundur për faktin që dhunuesit do të mbikëqyren ndaj shteti. Suksesi është pozitiv, por thërras që të gjitha institucionet ta kryejnë detyrën me përgjegjësinë më të lartë. Si ministri e Drejtësisë kemi marrë shumë veprime në raport me dhunën në familje, dua të lus që të mos tolerojnë asnjë formë të dhunës ndaj tyre, dhe nëse janë viktima ta raportojnë atë në Policinë e Kosovës. Ne jemi siguruar që ato të kenë strehim, që ato të kenë programe rehabilituese dhe kujdes ndaj fëmijëve të tyre. Është e rëndësishme që ta kenë besimin tek institucionet e Kosovës, në mënyrë që ta raportojnë dhunën ndaj tyre”, deklaroi ajo.
Haxhiu inkurajoi viktimat e dhunës që ta raportojnë atë në Policinë e Kosovës dhe të besojnë tek institucionet për mbrojtje dhe rehabilitim.
“Jeta e tyre është shumë e vlefshme, prandaj mos të lejojnë askënd që t’ia cenojnë dhe që të bëjnë të ndihet e kërcënuar. Një person që ushtron dhunë ndaj tyre nuk i do dhe as nuk ka respekt ndaj jush, prandaj është e rëndësishme që ta raportojnë çdo rast”, dha mesazh ministrja Haxhiu për gratë që përballen me dhunën nga burrat.