​Rrustemi s’ka pritje për takimin e 17 dhjetorit: Serbia dëshiron aneksimin e veriut

Aktuale

​Rrustemi s’ka pritje për takimin e 17 dhjetorit: Serbia dëshiron aneksimin e veriut

Më: 14 dhjetor 2024 Në ora: 09:30
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi nuk pret ndonjë zhvillim pozitiv nga takimi i së martës në nivel kryenegociatorësh në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel. Ai thotë se Serbia nuk është e interesuar për dialog dhe sipas tij e njëjta synon aneksimin e veriut.

Në një intervistë për KosovaPress, Rrustemi akuzon Serbinë se nuk është e interesuar për zbatim të Marrëveshjes Bazë të Brukselit dhe aneksit të Ohrit, të dakorduar në vitin 2023.

Një takim në nivel kryenegociatorësh – zëvëndëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq nga Qeveria e Serbisë – është caktuar të mbahet më 17 dhjetor në kryeqendrën evropiane.

Ditë më parë, zëdhënësja e bllokut për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Anitta Hipper tha se aty palët do të “shqyrtojnë një sërë cështjesh, duke përfshirë atë për zbatimin e Marrëveshjës për normalizimin e marrdhënieve”.

Takimi i fundit në nivel kryenegociatorësh ishte më muajin tetor – pa ndonjë rezultat konrekt drejt zbatimit të Marrëveshjës së Brukselit.

Rrustemi thotë se Serbia vetëm bëhet si e interesuar për dialog por e njëjta në terren po nxitë dhe financon akte terroriste me qëllim aneksimin e veriut.

“Nuk jam optimist se mund të pritet ndonjë gjë nga ky takim. Kjo për shkak të qasjes dhe sjelljes së Serbisë. Serbia nuk është e interesuar për dialog, normalizim dhe as për zbatim të marrëveshjes. Përkundrazi ajo përpiqet në njërën anë të duket se është e interesuar për takime dhe dialog, për në teren ka nxitur, financuar, mbështetur akte të tilla terroriste dhe të agresionit, gjithmonë me synimin për të aneksuar veriun e Kosovës”, thekson ai.

Rrustemi thotë se angazhimi diplomatik i ekzekutivit s’ka pushuar asnjëherë që t’i bind aleatët se Serbia është sponsorizuesja kryesore e sulmeve terroriste në veri.

Pasi terroristë serbë sulmuan Policinë e Kosovës dhe vranë rreshterin Afrim Bunjaku në Banjskë të Zveçanit një vit më parë, kanali i Iber-Lepencit në Zubin Potok u sulmua më 29 nëntor të këtij viti.

Autoritetet e Kosovës thanë se sulmi ishte terrosit e kriminal dhe i orkrestruar nga bandat e mbështetura prej Beogradit zyrtar.

“Angazhimi ynë diplomatik për të paraqitur të vërtetën tonë do të vazhdojë dhe s’ka pushuar asnjëherë. S’ka asnjë dilemë se këto grupet terroriste ekstremiste kanë kontakte të ngushta me autoritetet në Serbi. Aleksandar Vuçiq i mban afër dhe i ka dirigjuar në vazhdimësi. Akti i fundit terrorist është vazhdimësi e agresionit të shtatorit të vitit të kaluar. Kjo nuk mund të shihet i shkëputur nga rasti i Banjskës. Ndërkohë Radoiçiq mbahet i sigurt dhe i jepet hapësira në vend që të ekstradohet”, shton ai.

Në një intervistë për KosovaPress, Rrustemi flet edhe për çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe presionin ndërkombëtar drejt ekzekutivit për dërgimin e draftstatutit të tij në Gjykatën Kushtetuese.

Ai thotë se se i njëjti nuk do të dërgohet në Kushtetuese, duke shtuar se është vetëm draft pune dhe jo zyrtar.

“Ky draft është një dokument pune, nuk është një dokument formal dhe zyrtar. Autorizimi formal, eventual për të hartuar një draft për mekanizmin vetëmenaxhues të komunitetit serb është përgjegjësi e institucioneve të Kosovës. Për Kosovën, në radhë të parë s’mund të shkëputet si e veçantë nga Marrëveshja bazë e Brukselit...Nuk do të ndodh që institucionet e Kosovës të dërgojnë drafte të caktuara për të cilat është e bindur se cenojnë rendin tonë kushtetues dhe krijojnë konditat për një entitet si Republika Serbe. Këto janë të papranueshme”, thekson Rrustemi.

Në anën tjetër, Rrustemi komenton edhe veprimin e Partisë Demokratike të Kosovës në opozitë, e cila të premten i është drejtuar Gjykatës Kushtetueser.

PDK ka kontrstuar procedurën e miratimit të 15 ligjeve në Kuvendin e Kosovës, ndërkaq e ka konstestuar përmbajtjen e Ligjit për Byronë dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Sipas Rrustemit, qëllimi i PDK-së është të vonojë themelimin e Byrosë.

“Asnjë procedurë nuk është shkelur, përkundrazi, Rregullorja e Kuvendit e parasheh shmangien e afateve në rastet e caktuara. Kjo nuk është hera e parë që ka ndodhur në Kuvendin e Kosovës, pasi ka ndodhur edhe më parë gjatë kësaj legjislature, po ashtu edhe shumë herë gjatë legjislaturave të kaluara...Motivimi kryesor është te një ligj, te Byroja për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme. Ata [PDK] e penguan për 17 muaj duke e dërguar në Kushtetuese dhe po synojnë të vonojnë edhe për disa muaj, pa çka e dinë se aty s’ka asgjë antikushtetuese. Janë adresuar gjetjet e Kushtetueses dhe Kmisionit të Venecias. Nuk po i mjafton PDK-së në rastin konkret dëmi që i ka bërë Kosovës, por edhe nga pozicioni i opozitës po synon të pengojë avancimin e shtetit të Kosovës por edhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, deklaron Rrustemi.

Kontestimi i Ligjit për Byronë po bëhet për herë të dytë nga PDK-ja.

PDK-ja ka kritikuar pushtetin për procedurën e miratimit të 15 ligjeve të tjera, brenda një dite dhe që kaluan me procedurë të përshpejtuar në seancën e 5 dhjetorit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat