Thyerje të brinjëve - Specialisti i Torakales flet për gjendjen e policit të lënduar me autoblindë në veri

Aktuale

Thyerje të brinjëve - Specialisti i Torakales flet për gjendjen e policit të lënduar me autoblindë në veri

Më: 14 dhjetor 2024 Në ora: 10:55
Dr. Frederik Çuperjani

Një zyrtar policor i lënduar nga aksidenti në veri ku mbetën të lënduar 8 policë, është duke u trajtuar në Klinikën e Kirurgjisë Torakale në QKUK. Për gjendjen e tij, ka folur Dr. Frederik Çuperjani, specialist i Kirurgjisë Torakale.

Ai ka thënë se pacienti i moshës 30 vjeçare ka thyerje të brinjave në të dyja anët e kraharorit por që gjendja e tij është stabile.

“Gjendja e pacientit është stabile për momentin, pacienti është duke u përcjellë. Lëndimet janë të rënda, pra kemi të bëjmë me shtypjen e kraharorit, me thyerje të brinjave në të dyja anët e kraharorit, mirëpo gjendja e tij është stabile, pacienti është i fuqishëm është i ri dhe besoj se çdo gjë do të shkojë sipas dëshirave tona. Mosha e tij është mbi 30 vjeçar, është një djalë i fuqishëm edhe njëherë për njëherë gjendja e tij po përcjellët dhe është premtuese, stabile”, ka thënë Çuperjani, teksa këto lëndimet i cilëson si të rënda. Ai ka thënë se në momentin kur është pranuar, ka qenë me vetëdije.

“Këto janë lëndime të rënda edhe gjendja e tij ka qenë e rënduar por pas ekzaminimeve janë parë lëndimet, pra mushkëria është e pacenuar, nuk kemi as ajër e as gjak në hapësirën pleurale edhe vetëm kemi konstatuar thyerjet e brinjëve dhe shtypjen e mushkërive dhe të kraharorit. Po, me vetëdije ka qenë”, u shpreh ai.

Tetë policë të Njësisë Speciale Operative kanë mbetur të lënduar si pasojë e një aksidenti me autoblindë në veri të vendit, saktësisht fshatin Grabovc. Dyshimet janë se automjeti ka rrëshqitur dhe se ka dalë jashtë rrugës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat