Gazmend Syla, kryetar i degës së OVL-UÇK-së në Pejë, ka vlerësuar formimin e Ushtrisë së Kosovës si një moment historik, duke theksuar se ky vendim, nën udhëheqjen e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, ka qenë një përmbushje e amanetit të dëshmorëve.
Ai ka kujtuar se ky proces ka qenë i mbështetur fuqishëm nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, veçanërisht nga Gjenerali James Mattis, i cili ka luajtur një rol të rëndësishëm në realizimin e këtij angazhimi.
“Vendimi për formimin e Ushtrisë së Kosovës nën drejtimin e Ramush Haradinajt ishte një moment historik i përmbushjes së amanetit të dëshmorëve dhe gjithë brezit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kjo u realizua në partneritet të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, veçanërisht me Gjeneralin James Mattis, i cili ishte një mbështetës i fuqishëm i këtij procesi”, tha Syla.
Syla ka theksuar se, gjatë asaj periudhe, në koordinim me SHBA-të, është hartuar një plan 10-vjeçar për zhvillimin e Ushtrisë së Kosovës, që përfshinte rritjen e kapaciteteve dhe furnizimin me armatime moderne.
“Po atë kohë, u hartua në koordinim me SHBA një plan 10-vjeçar për zhvillimin e Ushtrisë, duke përfshirë rritjen e kapaciteteve dhe furnizimin sistematik me armatime moderne”.
Megjithatë, Syla ka kritikuar ashpër pushtetin e tanishëm për trajtimin e Ushtrisë së Kosovës, duke e akuzuar atë për veprime që dëmtojnë integritetin dhe dinjitetin e forcave të sigurisë.
Ai ka përmendur largimin e FSK-së nga stërvitja Defender 2023, si një nga momentet më të rëndësishme të këtij dënimi.
“Sot shume vjet pas, pushteti i sotëm luan me uniformen e shtetit me veprime qëllimisht të dëmshme. Demi me i madh qe i kane bërë Ushtrisë mbetet largimi i saj nga Defender 2023 dhe trajtimi jo i dinjitetshem me paga dhe kushte te jodinjitetshme, çka kane shtyre shume ushtar te largohen”, ka thënë ai.
Syla ka kritikuar edhe premtimin e Kryeministrit Albin Kurti për krijimin e Ushtrisë së detyrueshme, duke e cilësuar atë si “mashtrim ordiner”.
“Premtimi i Kurtit se Kosova do të ketë ushtri të detyrueshme doli të jetë vetëm mashtrim ordiner. ‘Fondi i Sigurisë’ më as që përmendet nga ai. Ushtria duhet të trajtohet nga shteti me dinjitet e respekt e jo me mashtrim”, vlerësoi Syla.