Ish-eprori i UÇK-së, Hisen Berisha, ka kritikuar ashpër Qeverinë “Kurti” për angazhimin e saj 6 vitet e formimit të Ushtrisë së Kosovës, duke theksuar se ka sjellë falimentimin e segmenteve të ndryshme, përfshirë dhe ushtrinë.
Ai ka akuzuar Qeverinë për dështimin në përmbushjen e objektivave të fazës së parë të planit gjithëpërfshirës dhe për krijimin e një “stagnimi” në procesin e transformimit të FSK-së.
“Kjo Qeveri cilësohet për një punë, e cila ka sjellë deri të falimentimi i të gjitha segmenteve edhe te ushtria”.
Ai ka kritikuar ashpër projektin për shërbimin e detyrueshëm ushtarak, duke e cilësuar atë si një tendencë për të minuar projektin për ushtrinë dhe si një shkak të stangimit në zhvillimin e Ushtrisë së Kosovës.
“Projekti për shërbim të detyrueshëm ushtarak ka qenë një tendencë për minim të projektit për ushtri dhe ka shkaktuar një shtangim, mirëpo ky stangim ka shkaktuar dështimin në përmbushjen e objektivave të detyrave të fazës së parë dhe ato tani janë bartur në të dytin dhe ende s’janë përfunduar”.
Ai ka theksuar se ende nuk janë deklaruar kapacitetet fillestare operacionale të Ushtrisë, duke i bërë thirrje qeverisë që të përmbushë detyrimet e saj për të krijuar një ushtri funksionale dhe të aftë.
“Ende nuk janë deklaruar kapacitetet fillestare operacionale se nuk janë arritur. Ushtria ka përformuar shkëlqyeshëm, çdo arritje sukses e blerje nuk është arritje e meritë e asnjë person,i por meritë e planit gjithëpërfshirës të tranzicionit”, shprehet Berisha.
Ai ka kritikuar tendencat, siç ka thënë, për të bërë fushatë elektorale me pajisjet dhe blerjet e mjeteve për FSK-në, duke e cilësuar këtë si një rrezik të madh për zhvillimin e ushtrisë.
“Tendenca për të bërë fushatë elektorale mbi pajisjet dhe blerjet e mjeteve të FSK është e rrezikshme. E shkelën ligjin e prokurimit për ushqim dhe ushtarët që janë profesionist i kanë kthyer në kuzhinierë dhe kamerierë, ky nuk është mision i FSK-së”, shprehet Berisha