Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se ka vizituar tre policët që po trajtohen në QKUK, pas aksidentit me autoblindë në veri.
Ai ka njoftuar se gjendje e tyre shëndetësore po përmirësohet, ndërsa bëri të ditur se vizitën e ka bërë bashkë me ministrin e Shëndëtësisë, Arben Vitia.
“Shkaqet e aksidentit po hetohen por jam shumë i lumtur që djemtë tanë janë jashtë rrezikut për jetë”, ka shkruar Sveçla në Facebook.
Mes tjerash, ai ka thënë se mjekët që po përkujdesen për rikuperimin e policëve të lënduar, po I trajtojnë ata me kujdesin më të lartë.
Postimi i plotë:
Sapo mbërrita mbrëmë nga Kroacia vizitova në QKUK tre policët tanë që po marrin trajtim mjekësor. U takova po ashtu edhe me familjarët e kolegët e tyre.
Me Ministrin e Shëndetësisë Arben Vitia takuam mjekët që po përkujdesen për shëndetin dhe trajtimin adekuat. Ata na njoftuan e siguruan se janë duke i trajtuar policët me kujdesin më të lartë profesional.
Teksa gjendja e tyre fatmirësisht po përmirësohet, falënderoj përzemërsisht të gjithë mjekët të cilët nga mbrëmë kanë bërë të pamundurën që policët tanë të kenë kujdesin dhe trajtimin e nevojshëm për rikuperimin e tyre.
Shkaqet e aksidentit po hetohen por jam shumë i lumtur që djemtë tanë janë jashtë rrezikut për jetë.
Iu uroj të kthehen sa më shpejt në detyrë, në shërbim të qytetarëve e vendit tonë.