​“Do ta votoja Shyhrete Behlulin”, qytetarët flasin për listat e deputetëve

Aktuale

​“Do ta votoja Shyhrete Behlulin”, qytetarët flasin për listat e deputetëve

Më: 14 dhjetor 2024 Në ora: 15:44
Foto ilustrim

Përfshirja e estradës në listën për deputetë nga subjektet politike ka befasuar paksa qytetarët. Disa shprehen pro e disa thonë se nuk e kanë vendin në Kuvend. Dikush do të dëshironte Shyhrete Behlulin e dikush tjetër Shkurte Fejzën pjesë e listave.

Qytetarët thonë se kjo është strategji e partisë politike për të tërhequr vota, derisa shprehen skeptikë për kontributin e tyre në politikë.

Qytetari Enver Hoti thotë se preferenca e tij është Shyhrete Behluli si kandidate për deputete.

Hoti: Do ta kisha votuar Shyhrete Behlulin, unë llapjan ajo e martuar për llapjan

"Të gjitha listat që kam mundur t'i shoh dhe t'i vlerësoj në rregull janë përveç asaj të Vetëvendosjes dhe të LDK-së që i kanë përjashtuar dy kandidatët më superior të tyre. Për shembull në LDK është Agim Veliun, VV është Besnik Bislimi. Ato janë çështje partiake...A ke ndonjë këngëtarë ose aktorë që kishe pasur dëshirë ta shohësh në listë për kandidatë tek cilado parti politike? Për Edona Llalloshin cili ka qenë mendimi juaj kur e keni parë në listë? Po them edhe ajo vlen për një kategori të njerëzve. Ndoshta për mua, po e them që kam pasur dhe kam simpati, por jo si të tjerët siç është Shyhrete Behluli e të tjera. Me simpati nuk votoj, por vetëm me kontribut dhe të arritura. Po të ishte Shyhrete Behluli a do ta kishe votuar? Po, me siguri që e kisha votuar, edhe ajo është e martuar për llapjan edhe unë jam llapjan, pse jo", u shpreh Hoti.

Nora Llapashtica vlerëson se këngëtarja Edona Llalloshi do të duhej të hynte në garë me LDK-në. Përveç kësaj, ajo shpreh dëshirën për ta parë në politikë edhe këngëtaren Shkurte Fejza.

Llapashtica: Edona është dashur të jetë në LDK, Shkurten dua ta shoh deputete

"A Vetëvendosje, s'kisha thënë që e meriton aty me hy (Edona Llalloshi), më mirë me qenë diku tjetër, ndonjë parti tjetër sesa në Vetëvendosje. sipas juve ku është dashur të jetë Edona? Në LDK. Çfarë mund t'i jep politikës Edona? Ka shumë, sepse është e veçantë. Cilën këngëtare tjetër kishe pasur dëshirë ta shohësh në politikë? Nuk e di, Shkurte Fejzën. E adhuroj si këngëtare edhe e meriton me qenë, e ka partinë e vet ajo e di", tha Llapashtica.

Argjend Bejtullahu shprehet kundër përfshirjes në politikë të estradës, teksa komenton mos përfshirjen në listë të ministrit të Infrastrukturës Liburn Aliu.

Bejtullahu: Këngëtarët e aktorët të rrinë në profesion të tyre, ka kush merret me politikë

"Nuk është pritur diçka më shumë, diçka më pak, ata janë pak a shumë që i kemi pritur. Befasia ka qenë te Liburn Aliu i Vetëvendosjes, mendoj që ka qenë befasi, por politikë...Kohëve të fundit, unë nuk jam për këtë send, këngëtarët të hyjnë në politikë, nuk janë pro kësaj. Edhe aktorët që po hyjnë Adriana Matoshi e të tjerët, le të rrinë në profesion të tyre, për politikë ka kush të merret. Unë jam kundër këtyre gjërave...Për vota po e bëjnë. Tash e kanë bërë që ke të drejtë t'i votosh 10 persona nëse nuk gaboj, e kanë rritur mundësinë, për atë arsye e kanë bërë edhe për vota...Pse po mendoni se Liburn Aliu nuk është përfshirë në listë. Ndoshta për shkak të aferave", tha Bejtullahu.

“Katastrofë” e quan qytetari Zeqir Buzuku kandidaturat e njerëzve të cilët nuk merren me politikë, por që vijnë nga sfera të tjera të jetës. Sipas tij, subjektet politike po i marrin në radhët e veta vetëm për vota.

Buzuku: Edona sa për vota, parlamenti s’është për këngëtar, tiktokerë e Big Brother

"Lista nuk është e dobët, secilën listë janë disa njerëz që ndoshta nuk e kanë merituar të jenë aty. Edona Llalloshi si këngëtare, si femër, si nënë është shumë e mirë. Për deputete, disa vota ua dërgon Vetëvendosjes. Për këtë e kanë marrë, për vota, nuk ka ndonjë kapacitet politik, nuk është marrë kurrë... 'Janë bërë listat tik-tokerë, futbollistë, Big Brother'. Parlamenti nuk është për këngëtarë, është për njerëz profesionistë polikë, me pas njerëz të profesionit të kontribuojnë, ne i kemi edhe parë legjislaturën e kaluar, më e dobët s'ka qenë asnjëherë. Ka deputetë aty që për katër vite s'iu ka dëgjuar zëri për katër vjet kurrë. Këta këngëtarët, Big Brother, tik-tokerët, katastrofë", theksoi Buzuku.

Ndërsa Halil Sylejmani thotë se kandidatët për deputetë duhet të jenë dinjitozë dhe profesionalë.

Sylejmani: Lista ‘pa lidhje’

"Pa lidhje, bre, listat. Në lista mund të shkruash çfarë të duash. Shpresoj që kanë program dhe dinjitet te votuesit... Asgjë nuk ka listë më të mirë, njerëz më të mirë...Secila lëmi duhet të shqyrtohet në Kuvendin e Kosovës, edhe sporti, muzika, letërsia, teknika dhe çdo gjë. Mirë është të jenë të gjitha kategoritë e qytetarëve, por duhet të jenë njerëz që vërtet kanë integritet, personalitet për shtetin e Kosovës. Pika kryesore le ta dijë çdo shqiptar që jeton këtu është territori. Territori dhe integriteti janë bazë kryesore", tha Sylejmani.

Ndryshe, këngëtarja Edona Llalloshi tashmë është zyrtarisht është pjesë e listës së kandidatëve për deputetë. Kjo nuk është hera e parë që njerëz të estradës t’ia mësyjnë garës për deputetë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat