26 vjet nga “Panda”, Kurti kërkon drejtësi për krimet e Serbisë në Kosovë

Aktuale

26 vjet nga “Panda”, Kurti kërkon drejtësi për krimet e Serbisë në Kosovë

Më: 14 dhjetor 2024 Në ora: 19:00
Foto ilustrim

Kryeministri Albin Kurti ka kërkuar drejtësi për krimet e Serbisë në Kosovë 26 vjet pasi shërbimet serbe ekzekutuan gjashtë të rinj serbë për të akuzuar rrejshëm UÇK-në si fajtore.

Në një postim në Facebook, kryeministri Kurti tha se edhe 26 vjet pas, shteti i Serbisë vazhdon të fshehë të vërtetën për vrasjen e të rinjve serbë.

Ai ka cituar presidentin aktual serb Aleksandar Vuçiq të ketë deklaruar në lidhje me rastin Panda, në vitin 2013 se “nuk ka asnjë provë që është kryer nga shqiptarët” dhe se “ka shumë gjëra të tmerrshme me të cilat do të na duhet të përballemi, siç është vrasja e serbëve në kafiterinë Panda”.

Serbia i vrau gjashtë të rinj serbë, të moshave 14, 16, 17, 18 dhe 24-vjeç, në përpjekjen e regjimit të Sllobodan Millosheviq për të justifikuar gjenocidin në Kosovë.

Këtë e ka thënë në vitin 2014 edhe Vuk Drashkoviq, duke akuzuar shërbimin sekret serb për krimin në "Panda", duke veçuar Radomir Markoviq dhe Milorad Ulemek Legija, ish-komandant i Njësisë së Operacioneve Speciale (JSO).

Krimi është kryer që UÇK-ja “të paraqitet si organizatë terroriste” për të “ngjallur ndjenjat antishqiptare” dhe për të justifikuar veprimet e ardhshme të forcave serbe, kishte thënë Drashkoviq.

Kurti ka thënë se Serbia vazhdon mohon gjenocidin në Kosovë, Bosnje dhe Hercegovinë, masakrën në Srebrenicë dhe Reçak.

“Mosnjohja e së kaluarës së saj kriminale dhe mosnjohja e pavarësisë së Kosovës janë të lidhura ngushtë. Për paqe dhe siguri në rajonin tonë, ballafaqimi me të kaluarën dhe drejtësia për krimet e Serbisë në Kosovë janë të domosdoshme”, ka shkruar Kurti.

Ndryshe, forcat serbe arrestuan për rastin Panda mbi 150 shqiptarë në Pejë. Më 17 dhjetor 1998, u arrestuan dhe torturuan edhe Agron Kollçaku, Behar Bajri, Beqir Loxha, Gazmend Bajrami, Vllaznim Pergjegjaj dhe Xhevdet Bajrami. Më i madhi prej tyre ishte 22, ndërsa më i riu 17-vjeç. Gjashtë të rinjtë shqiptarë, në nëntor 1999, gjykata në Serbi i shpalli të pafajshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat