Avokati shqiptar, Spartak Ngjela ka komentuar njoftimin se SHBA do vendosin sanksione të rrepta Serbisë së Vuçiqit, kjo për shkak të industrisë së naftës (NIS).
Ngjela e mirëpriti këtë gjë, derisa tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do ta çojnë deri në fund reformën në drejtësi në Shqipëri.
Ai këtë gjë e ndërlidhi me forcimin e shqiptarëisë në Gadishullin Ilirik, derisa tha se presidenti serb është shumë i shqetësuar.
“Aleksandër Vuçiç ndërkohë po i kërkon ndihmë Rusisë, por në hutim është, sepse ende nuk po ndihet i qartë se cilat do të jenë sanksionet konkretisht.
Por, e gjitha kjo është krejt e krejt në favor direkt të Shqipërisë dhe Kosovës”, shkroi ndër të tjera Ngjela, përcjell “Bota sot”.
Po ashtu, avokati kishte disa kritika edhe për Edi Ramën.
Postimi i plotë
Njoftohet se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do t'i vënë sanksione te rrepta Serbisë si një bashkëpunëtore e vendosur dhe e fortë e Rusisë, që ajo është.
Dhe do ta çojnë deri në fund reformën në drejtësi në Shqipëri, si një reformë që do të eliminojë tërësisht korrupsionin e lartë shtetëror.
Të dy këta aspekte janë të lidhur në funksion të forcimit të shqiptarisë në Gadishullin Ilirik.
I.
Dhe pikërisht për këtë fakt, i shqetësuar...
Aleksandër Vuçiç ndërkohë po i kërkon ndihmë Rusisë, por në hutim është, sepse ende nuk po ndihet i qartë se cilat do të jenë sanksionet konkretisht.
Por, e gjitha kjo është krejt e krejt në favor direkt të Shqipërisë dhe Kosovës.
Kurse në Tiranë ende duket se ka influencë sllavo-greko- ruse kundër interesit të Shqipërisë.
Kjo influencë ka qenë shumë e madhe, aq sa prej viti 1992 e deri në vitin 1996, nga hordhitë e Beogradit dhe Athinës që drejtuan qeverinë në Tiranë, në Shqipëri u shkatërruan 500 uzina e fabrika, me paratë që u paguan nga Beogradi.
Dhe ishte diskutimi i para dokohësh në Parlamentin e Serbisë, ku një deputet serb u shpreh me mburrje për shkatërrimin e 500 uzinave dhe fabrikave në Shqipëri.
Por kjo, edhe pse tanimë është e faktuar, asnjë lloj hetimi nuk është kryer ende në Shqipëri.
Dhe kjo sigurisht që duhet të hetohet profesionalisht, sepse është interes parësor për Shqipërinë.
II.
Po keyeministri i Shqipërisë Edi Rama, është i qartë politikisht me këtë goditje ndërkombëtare të Serbisë, e cila është e gjitha në favor të çështjes shqiptare?!
Serbia sot po ndodhet përballë vendosjes së sanksioneve ekonomiko-politike nga Shtetet e Bashkuara.
Por, cili do të jetë pozicioni i shqiptarisë politike në Tiranë, Prishtinë dhe në Shkup në lidhje me këtë fakt?
Ketë çështje duhet ta shohim me vëmendje, sepse e gjithë politika e fshehtë e Serbisë, me veglat e veta, do të përqendrohet në Ballkanin Perëndimor ku janë tre shtetet shqiptarë: Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, por edhe karakteri shqiptar që po lulëzon sot në Malin e Zi, dhe ku rusët e serbët nuk po lejojnë që të bëhet një regjistrim i ri dhe korrekt i popullsisë
E gjithë bota sllave gënjen dhe krijon përralla për serbet dhe sllavët që jetojnë realisht në Mal të Zi.
Kurse Tirana zyrtare hesht. Dhe nga kjo thellë- thellë kuptohet se qeveria Rama nuk po luan qartë për interesin kombëtar.
Kjo kuptohet, sepse në lidhje me falsifikimin që po i bëhet regjistrimit të popullsisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut dhe në Mal të zi, qeveria e Shqipërisë nuk po thotë asnjë fjalë.
Këta qeveritare kuptohet qartë se nuk janë me çështjen shqiptare.
Pse nuk flet fare qeveria Rama për çështjen shqiptare në Maqedoninë e Veriut dhe në Mal të Zi?!
III.
Askush nuk po di që ta shpjegojë deri në fund këtë çështje, por ne e kemi shpresën që opinionin publik shqiptar do ta informojë plotësisht politika amerikane, e cila e njeh të faktuar tendencën antishqiptare të sllaveve të Jugut në Ballkanin Perëndimor, por edhe të veglave të tyre në Shqipëri.
Dhe sot ajo që po pritet në Shqipëri është: frenimi i fuqishëm i sllavizmit në botën shqiptare në Ballkanin Perëndimor, sepse interesi i Rusisë po i luan të gjithë gurët kundër shqiptarisë.
Prandaj kjo ështl arsyeja që qarqet patriotike në Shqipëri po presin vijimin me forcë të ndihmës amerikane kundër korrupsionit të lartë në Shqipëri, sepse i gjithë korrupsioni i lartë shtetëror këtu, sot e ka shpresën tek Rusia.
Dhe ky është një fenomen historik që ka ndodhur kudo, por ne sot në Shqipëri i kemi të gjitha mundësitë që ta frenojmë me anë te reformës në drejtësi që po zhvillohet me sukses.
Ne jemi të sigurt që, reforma në drejtësi do ta shpëtojë Shqipërinë nga korrupsioni galopant që e kishte pushtuar.
Dhe shenjat tani janë të qarta për këdo, se reforma antikorrupsion ka nisur dhe po vijon me sukses nga SPAK, dhe kjo sot është e kuptueshme qartësisht.
Ne jemi të sigurt për këtë reformë të fuqishme, sepse vetë politika e lartë amerikane është shprehur se, reformën në drejtësi që po kryet në Shqipëri e drejton me ekspertizë të lartë vetë qeveria federale e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.