Diaspora po e jep “vulën” me votën e saj, ja kur pritet të përfundojë numërimi i votave

Aktuale

Diaspora po e jep “vulën” me votën e saj, ja kur pritet të përfundojë numërimi i votave

Më: 26 shkurt 2025 Në ora: 16:36 Përditësuar në ora: 16:13 më 27.02.2025
Foto nga votimi në një nga përfaqësitë diplomatike të Kosovës, më 8 shkurt 2025.

Sonte pritet të përfundojë numërimi i votave nga përfaqësitë diplomatike, më pas hapen zarfet me postë

Nga KQZ  kanë thënë që numërimi i votave nga votimi në përfaqësitë diplomatike pritet të përfundojë sot.

Pasi të përfundojë numërimi i këtyre votave, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve do të fillojë numërimi i votave me postë.

“Aktualisht janë duke u numëruar votat nga votimi në përfaqësitë diplomatike, në ndërrimin e pasdites do të mbesin 11 vendvotime të cilat pritet të përfundojnë sonte. Rezultatet nga numërimi i sotëm së shpejti do të shfaqen në platformën elektronike. Pas tyre do të fillojmë me numërimin e votave të mërgatës që kanë votuar nëpërmjet postës”, kanë thënë nga KQZ.

Numri i votave nga votimi në përfaqësitë diplomatike është 15 mijë e 352.

Ndërkaq sa i përket votave me postë, sipas të dhënave të KQZ’së janë rreth 69 mijë pako me fletëvotime, por janë aprovuar 62 mijë e 990 sosh.

Vota me kusht janë 12 mijë e 801, ndërsa numri i votave të personave me nevoja të veçanta është 2,597. 

Për të parë rezultatin e zgjedhjeve klikoni këtu

Kë e votoi mërgata në Washington e New York?

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ka përfunduar numërimi i votave të mërgimtarëve që kanë votuar në Ambasadën e Kosovës në Washington dhe Konsullatën e Kosovës në New York.

Sipas rezultateve të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në Washington kanë votuar vetëm 54 mërgimtarë.

Nga këto vota, 30 janë për Lëvizjen Vetëvendosje, 18 për Partinë Demokratike të Kosovës dhe gjashtë për Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Partitë tjera nuk kanë asnjë votë.

Për të parë rezultatin e zgjedhjeve klikoni ketu

Këto janë rezultatet nga numërimi i të gjitha votave në Hagë

Janë numëruar të gjitha votat në Ambasadën e Kosovës në Hagë.

Nga përqindja e përgjithshme, Vetëvendosje ka fituar 89.11% të votave në Hagë. VV-ja ka fituar 90 vota.

E dyta është Lidhja Demokratike e Kosovës me 4.85%, apo pesë vota në total.

Në vendin e tretë është PDK-ja me 2.97% apo tri vota në total.

Mbi 44.19 për qind e votave janë numëruar nga votimi që u zhvillua nëpër përfaqësi diplomatike një ditë para zgjedhjeve në Kosovë, më 8 shkurt.

Gjithsej, prej tyre deri më tani LVV-ja ka marrë 81.89 përqind e votave, apo 3 mijë e 305 vota, sipas të rezultateve të Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ).

Partia e dytë me më së shumti vota është LDK-ja me 7.21 përqind të votave, apo 291 deri në orën 23:48.

E treta është PDK-ja ka marr 5.75 përqind të votave, apo 232 vota.

Partia e katërt për nga numri i votave është Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në koalicion me Nismën, Konservatorët, Intelektualët dhe Listën Ideal me 62 vota apo 1.54 përqind.

Vazhdon numërimi i votave nga diaspora

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve vazhdon procesi i numërimit të fletëvotimeve nga votimi jashtë Kosovës, respektivisht nga votimi në përfaqësi diplomatike.

Sipas të dhënave të përditësuar në orën 23:48 në faqen e KQZ-së, janë numruar 49.19% e kutiave. Nga këto numrime lëvizja Vetëvendosje ka marr 81.89%, LDK-ja, 7.21, PDK-ja 5.75%, AAK-Nisma, 1.54% dhe Kolaicioni për Familjen ka marr 1.07%.Më 8 shkurt 2025 është votuar në 30 përfaqësi diplomatike me gjithsej 43 vendvotime dhe sipas të dhënave nga 20,324 votues të regjistruar kanë votuar 75.57% e tyre apo 15,352 shtetas të Kosovës që gjatë regjistrimit kishin përzgjedhur këtë mënyrë votimi.

 “Procesi i numërimit është transparent dhe vëzhguesit e akredituar janë njoftuar me kohë. Pas përfundimit të numërimit të ndonjë vendvotimi, brenda një kohe të shpejtë rezultatet për subjektet politike dhe kandidatët, të ndarë sipas përfaqësive diplomatike, do të shfaqen në platformën https://rezultatet2025.net/sq/Public/CRCResults”, ka theksuar zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Image

 

Elezi ka thënë se procesi i votimit më 8 shkurt është organizuar në 16 ambasada dhe 14 konsullata të Republikës së Kosovës, të cilat janë të vendosura në 19 shtete të ndryshme.

Ai ka bërë të ditur se pas përfundimit të numërimit të votave nga përfaqësitë diplomatike, planifikohet që të fillojnë me numërimin e fletëvotimeve nga votimi përmes postës.

Publikohen rezultatet nga vendvotimi në Norvegji dhe në Hamburg

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur sot numërimin e votave nga vendvotimet në konsullatat e Kosovës në shtete të ndryshme në botë.

Sipas publikimeve të fundit në rrjetet sociale nga Qendrat e Numërimit janë mësuar edhe votat nga disa konsullata.

Në konsullatën e Kosovës në Norvegji prinë Lëvizja Vetëvendosje.

VV-ja ka marrë 351 vota në këtë konsullatë, kurse Partia Demokratike e Kosovës vetëm 15.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka marrë 12 vota.

Kurse, nga votimet e diasporës në Hamburg shumicë të madhe të votave ka marrë Lëvizja Vetëvendosja: përkatësisht 189 vota nga 236 vota.

Partia Demokratike i ka marrë 17 vota, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës 16. Kurse dy herë është votuar Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Përpos votave nga konsullata, KQZ-ja ka njoftuar se do të numërojë edhe votat nga diaspora të dërguara me postë, si dhe votat e personave me nevoja të veçanta./

Këto janë votat nga Konsulata në Bernë

Në media është publikuar një foto në të cilën jo zrytarisht janë publikuar votat nga diaspora.

Në Bernë, sipas fotos prin Lëvizja Vetëvendosje me 301 vota, derisa LDK ka 36.

Këto janë votat nga Konsulata në Bernë, LVV merr shumicën e tyre.

Image

Koalicionet ende në ajër, sytë nga votat e diasporës

Me asnjë parti në gjendje për të qeverisur e vetme, opsionet për koalicione në Kosovë janë ende të pasigurta. Votat e diasporës - që në përfaqësitë diplomatike kanë nisur të numërohen më 26 shkurt - mund ta kenë çelësin. Për t’u numëruar kanë mbetur edhe votat me kusht dhe ato të personave me nevoja të veçanta.

Dy javë e gjysmë pas zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, nuk ka asnjë ide të sigurt se si do të duken institucionet e reja të vendit.

Në prapaskenë mund të zhvillohen bisedime e të bëhen përllogaritje, por në publik flitet pak.

Vëzhguesit thonë se, në dritën e zhvillimeve të shpejta gjeopolitike në botë, është e rëndësishme që Kosova të ketë sa më shpejt institucione të qëndrueshme.

“Konstituimi i institucioneve mbi bazën e rezultatit të zgjedhjeve të 9 shkurtit, është i nevojshëm edhe për shkak të interesave të Kosovës në planin e integrimeve evropiane, por edhe sfidave që e presin atë në planin ekonomik e politik”, thotë Besar Gërgi, nga Grupi për Studime Ligjore dhe Politike (GSLP) në Prishtinë.

Kryeministri aktual, Albin Kurti, tha më 26 shkurt se i takon partisë së tij, Lëvizjes Vetëvendosje, që, “si fituese e qartë e zgjedhjeve”, t’i formojë institucionet e Kosovës.

Sipas rezultateve preliminare, kjo parti doli e para me rreth 40 për qind të votave, e pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës me rreth 22 për qind, Lidhja Demokratike e Kosovës me rreth 17 për qind dhe koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës - Nisma me rreth 7 për qind.

Këto shifra tregojnë se asnjëra parti nuk ka mjaftueshëm vota për të formuar shumicën në Kuvendin me 120 ulëse të Kosovës.

Për t’u numëruar kanë mbetur edhe votat e diasporës - që janë mbi 80.000 - ato me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta.

Kurti tha se pret që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, javën e ardhshme, të dalë me rezultatet përfundimtare për subjektet politike.

“Të gjithë presim nga KQZ-ja edhe më shumë angazhim për përfundimin e procesit të numërimit dhe kujdes të shtuar në mbrojtjen e vullnetit të votuesve”, tha ai.

Kush çka ka thënë?

Pas shpalljes së fitores në zgjedhjet e 9 shkurtit, Kurti ka shprehur bindjen se Vetëvendosja e tij do ta formojë qeverinë në mënyrë të pavarur.

Gjatë fjalimit të asaj nate, ai ka përdorur gjuhë denigruese ndaj partive opozitare - gjë të cilën disa analistë e kanë interpretuar si mesazh se nuk do të kërkojë koalicion me to.

Mundësinë e koalicionit me Vetëvendosjen e kanë përjashtuar edhe PDK-ja, LDK-ja e AAK-ja, por jo edhe partnerja e kësaj të fundit, Nisma.

Udhëheqësi i Nismës, Fatmir Limaj, nuk ka vënë “vija të kuqe” përballë koalicioneve të mundshme, qoftë me Lëvizjen Vetëvendosje, qoftë me partitë aktuale në opozitë.

“Kush më fton në tavolinë, unë shkoj. Për Kosovën”, ka thënë Limaj në një paraqitje në Radio-Televizionin Dukagjini.

Radio Evropa e Lirë kontaktoi Limajn dhe zyrtarë të tjerë të partisë së tij për t’i pyetur se a janë duke u zhvilluar bisedime për koalicion me Vetëvendosjen dhe, nëse po, deri ku kanë mbërritur ato, por, përkundër disa përpjekjeve, nuk mori përgjigje.

Ngjashëm nuk u përgjigjën as zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Çka thonë vëzhguesit?

Bekim Salihu, nga Instituti për Studime të Avancuara - GAP, thotë se rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të 9 shkurtit, do ta përcaktojnë votat e diasporës.

Ai beson se partitë janë duke pritur certifikimin e rezultateve - që është paralajmëruar se do të bëhet në mes të marsit - për të bërë hapa konkretë drejt koalicioneve eventuale.

Me votat e numëruara deri tash, Vetëvendosje i ka 47 deputetë në Kuvendin e Kosovës, e për të formuar shumicën i duhen së paku 61.

Salihu pret që Kurti të sigurojë ndonjë deputet nga votat e diasporës, ndërsa llogarit edhe në dhjetë deputetët e komuniteteve joserbe, si dhe në një deputet nga serbët, por jo Lista Serbe.

“Ndaj, unë e shoh të mundshme që Vetëvendosje ta shfrytëzojë opsionin e Limajt, duke aplikuar edhe një lloj ‘kontraktimi’ të deputetëve të tjerë, për të mbështetur qeverinë”, thotë Salihu për Radion Evropa e Lirë.

Mendim të ngjashëm ndan edhe Gërgi nga GSLP-ja, por shton se një shumicë e tillë, me minimumin e deputetëve të kërkuar, nuk do të ishte stabile.

Ai sheh edhe një opsion tjetër të mundshëm.

“Opsioni B është që Lëvizja Vetëvendosje të bëjë një koalicion qeverisës qoftë me PDK-në, qoftë me LDK-në, në mënyrë që të ketë një stabilitet në qeverisje, si dhe të ketë numra të mjaftueshëm për zgjedhjen e presidentit në prill të vitit të ardhshëm”, thotë Gërgi.

Mandati i presidentes aktuale, Vjosa Osmani, përfundon më 7 prill të vitit 2026.

Sa është urgjent formimi i institucioneve?

Për Besar Gërgin është shumë urgjent, sidomos kur merren parasysh zhvillimet gjeopolitike në botë, të cilat, siç thotë, ndryshojnë dita-ditës.

Jashtë luftës në Ukrainë, që ka marrë vëmendjen kryesore të BE-së dhe SHBA-së, Gërgi përmend edhe mundësinë e trazirave në Bosnje e Hercegovinë, si pasojë e dënimit të presidentit të Republikës Sërpska, Millorad Dodik.

“Kështu që është jashtëzakonisht e rëndësishme që Kosova të ketë shpejt një qeveri stabile dhe një udhëheqësi të sigurt në këto ujëra të rrezikshme gjeopolitike, në të cilat kemi hyrë”, thotë Gërgi.

“Unë besoj se partitë janë ngutur për të vendosur ‘vijat e kuqe’ pas shpalljes së rezultateve preliminare. Tash, duke parë realitetin e ri që po krijohet në terren, ato do të detyrohen që t’i rikonsiderojnë këto vija të vendosura”, shpreh bindjen Gërgi.

Salihu, në anën tjetër, thotë se Lëvizja Vetëvendosje nuk është në situatë për të nxituar me formimin e qeverisë së re, për shkak se buxhetin për këtë vit e ka të miratuar.

“Pra, kemi një qeveri në detyrë, të cilën e udhëheq LVV-ja dhe, natyrisht, qeveria në detyrë nuk ka kufizim kohor. Qeveria në detyrë mund t’i ndërmarrë të gjitha veprimet sikurse një qeveri e zgjedhur”, thotë Salihu.

Sipas tij, i vetmi kufizim është fakti se ajo nuk mund të procedojë ligje dhe marrëveshje ndërkombëtare për miratim në Kuvend.

Me Kushtetutën e Kosovës, 30 ditë pas certifikimit të rezultatit zyrtar zgjedhor nga KQZ-ja, presidentja Osmani duhet ta thërrasë mbledhjen konstituive të Kuvendit të Kosovës.

Konstituimi përfundon me zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të tij.

Kjo praktikë edhe mund të zgjasë - në vitin 2014 janë dashur rreth gjashtë muaj./REL

Nis numërimi i votave të diasporës

Mbi dy javë pas mbajtjes së zgjedhjes parlamentare në Kosovë, sot ka filluar numërimi i një pjese të votave të diasporës, specifikisht i atyre që votuan në përfaqësitë diplomatike.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, tha se “është e pamundur të thuhet se sa do të zgjasë numërimi”, por se rezultatet do të publikohen sapo të kenë përfunduar numërimet e vendvotimeve – si ato të subjekteve politike, ashtu edhe ato të kandidatëve për deputetë.

Më 8 shkurt, për herë të parë Kosova organizoi votimin fizik të pjesëtarëve të diasporës në përfaqësitë diplomatike të shtetit nëpër botë. Votimet u mbajtën në 43 vendvotime në 16 ambasada dhe 14 konsullata të Kosovës, në 19 shtete të ndryshme të botës.

Në konferencën e mbajtur sot, Elezi tha se në këto vendvotime janë ndjekur të njëjtat procedura të sigurisë si në vendvotimet në Kosovë, për të siguruar integritetin e zgjedhjeve.

Përfaqësues të partive politike dhe shoqërisë civile në Kosovë janë ankuar për kohëzgjatjen e procesit të numërimit dhe verifikimit të votave, por KQZ-ja ka insistuar se po ruan integritetin e votave dhe se prioritizon saktësinë para shpejtësisë.

Mbi 73 për qind e të regjistruarve e shfrytëzuan të drejtën e votës, përkatësisht mbi 15 mijë nga rreth 20 mijë personat e regjistruar për të votuar në përfaqësitë diplomatike.

Deri më tani, për zgjedhjet e rregullta parlamentare të 9 shkurtit ka përfunduar numërimi i votave të rregullta për partitë dhe kandidatët për deputetë. Aktualisht janë duke u skenuar listat e votuesve, në mënyrë që të mund të vazhdohet me numërimin e votave me kusht, të personave me nevoja të veçanta dhe atyre me postë.

Përveç votimit nëpër ambasada dhe konsullata, mërgata ka votuar edhe përmes postës. Sipas të dhënave të KQZ-së, nga 69 mijë pako me fletëvotime, janë aprovuar gati 63 mijë zarfe, ndërkaq më pak se pesë mijë janë refuzuar.

Arsyet e refuzimit të tyre janë të ndryshme. Shembull, 729 zarfe nuk janë vlerësuar fare pasi aplikuesit kishin zgjedhur të votonin fizikisht në përfaqësitë diplomatike. Arsyet e tjera të refuzimit përfshijnë dërgimin e zarfeve me fletëvotim më shumë se një herë apo sepse pakot nuk kanë pasur vulë postare e të tjera.

Sipas rezultateve preliminare, që përfshijnë numërimin e votave të rregullta, Lëvizja Vetëvendosje është e para me 40.8 për qind të votave të fituara, pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës me 22.05 për qind.

E treta ka dalë Lidhja Demokratike e Kosovës me 17.64 për qind të votave, pasuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 7.46 për qind të votave të fituara.

Nga partitë e komunitetit serb, më së shumti vota ka marrë Lista Serbe, përkatësisht 4.62 për qind./REL

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat