Shoqëria “Lëvizja”, organizatat e dala nga Lufta e UÇK-së dhe Shoqata e të Burgosurve Politikë organizuan një akademi përkujtimore me rastin e 5-vjetorit të vrasjes së Qerim Kelmendit. Në këtë ngjarje, e cila u mbajt për të nderuar jetën dhe veprën e Kelmendit, morën pjesë familjarë, bashkëluftëtarë dhe përfaqësues të institucioneve të ndryshme.
Në këtë akademi u theksua kontributi i tij në luftën për liri dhe sakrifica që ai bëri për kauzën kombëtare. Besnik Kelmendi, vëllai i Qerim Kelmendit, ka kritikuar institucionet e drejtësisë për mungesën e përparimit në hetimet mbi vrasjen e vëllait të tij. Në një prononcim për KosovaPress, ai shprehu zhgënjimin e familjes për faktin që edhe pse deri më tani janë ndërruar tre-katër prokurorë, rasti ende nuk është zbardhur.
Kelmendi: Organet e drejtësisë nuk po veprojnë
“Fatkeqësisht, nuk ka asgjë edhe organet e drejtësisë janë shumë të ngathëta, nuk po veprojnë, a nuk po duan, a nuk po guxojnë, a nuk po dinë. Janë ndërrua 3-4 prokurorë, secili thotë qe e kam marr lëndën, nuk e kam studiua akoma, ka hezitime. Drejtësia në Kosovë nuk funksionon, nuk është vetëm drejtësia e vëllait tim, po janë edhe shumë raste tjera. Nuk e kemi prit që një luftëtar i ditëve të para vritet në atë mënyrë. E dini qysh është ekzekutua për mi hup gjurmë? Ne gjithmonë fajtor si organizator e dimë Serbinë. Po janë edhe bashkëpunëtorë të Serbisë, njerëzit që e kanë ndihmua këta dhe dorasit janë shqiptarë”, deklaroi Kelmendi.
Ndërsa, Bashkim Osmani, veteran i UÇK-së dhe anëtarë i Kryesisë së shoqërisë Lëvizja, i bëri thirrje organeve të drejtësisë që të zbardhin këtë rast. Osmani lavdëroi figurën e Kelmendit për kontributin e tij për çështjen kombëtare që nga mosha kur ishte i ri.
Osmani: Ftojmë organet ligjvënëse të drejtësisë të zbardhin kësaj ngjarje
“Me këtë rast ftojmë organet ligjvënëse të drejtësisë të zbardhin kësaj ngjarje për Qerim Kelmendin shpirtmadhin. Një aktivist i lirisë kombëtare i cili u dëshmua me veprimtarin e tij që nga mosha e re e deri në vdekje si një meteor prej një luftëtari të pa epur për çlirim dhe bashkim kombëtar”, tha ai.
Më 27 shkurt të vitit 2021 ishte gjetur trupi i pa jetë dhe i djegur i Qerim Kelemendit në makinën e tij, në afërsi të shtëpisë së tij në fshatin Llabjan të Pejës.