Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se nuk po arrijnë që të detyrojnë të burgosurit t’i ndjekin programet rehabilituese. Megjithatë, ajo theksoi se në kontekstin e kërcënimeve globale të terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, Republika e Kosovës ka demonstruar një angazhim të jashtëzakonshëm për të parandaluar përhapjen e ideologjive ekstremiste.
Këto komente Haxhiu i bëri me rastin e publikimit të raportit “Sfidat Serioze të Programeve të Rehabilitimit, Riintegrimit dhe Shkëputja nga Terrorizmi në Kosovë” nga Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese, BIRN, zyra në Kosovë.
Haxhiu potencoi se çështja për ta bërë të obligueshëm ndjekjen e programeve rehabilituese është diskutuar me Këshillin Gjyqësor të Kosovës, sipas saj për të parë mundësinë e zgjidhjes së këtij problemi.
"Sfidën e kemi sepse nuk po mundemi që t’i detyrojmë të burgosurit që të ndjekin këtë program. Vijnë një herë, nuk vijnë herën e dytë. Nuk janë të rregullt dhe të disiplinuar në këtë drejtim pikërisht për shkak se nuk kanë ndonjë obligim. Kemi qenë në diskutim më Këshillin Gjyqësor të Kosovës për të parë mundësinë, jo vetëm për dhunë në familje, por tash po flasim edhe për veprat e terrorizmit sikurse edhe për veprat tjera, femicidin, korrupsionin, krimin e organizuar dhe kam parë gatishmërinë e tyre që ta zgjedhin këtë problem...Një nga qëllimet më të rëndësishme të sistemit tonë të drejtësisë është risocializimi dhe ri integrimi i individëve të dënuar, duke u siguruar që ata të kenë mundësinë të bëhen pjesë e shoqërisë sërish...Në kontekstin e kërcënimeve globale të terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm vlerësoj që Republika e Kosovës ka demonstruar një angazhim të jashtëzakonshëm për të parandaluar përhapjen e ideologjive ekstremiste", tha Haxhiu.
Ndërkaq, drejtori i Departamentit për Siguri Publike në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Mensur Hoti tha se është kërkuar nga akterë të ndryshëm të shoqërisë civile që të bëjnë vlerësimin e aktiviteteve brenda strategjisë kundër terrorizmit.
Sipas tij, kjo është bërë me qëllim që të ketë vlerësim sa më real të aktiviteteve.
"Ka qenë një kërkesë e jona e kamotshëm që shoqëria civile të bëhet pjesë edhe e përgatitjes së dokumenteve strategjike. Por, kemi avancuar edhe një hap më tutje duke kërkuar nga akterë të ndryshme të shoqërisë civile që të bëjnë vlerësimin e aktiviteteve brenda strategjisë kundër terrorizmit. Kjo është bërë me qëllimin që të kemi një vlerësim sa më real të aktiviteteve duke pasur parasysh që nëse ne do të vetë vlerësoheshim në aktivitetet që i kryejmë ka të ngjarë që disa prej rekomandimeve ose sfidave nuk do të paraqiteshin siç janë paraqitur në këtë raport edhe në raportet paraprake. Është më rëndësi që ne t'i pranojmë rekomandimet ashtu siç janë", potencoi Hoti.
Ai u zotua se do të angazhohet për përmbushjen e detyrimeve që kanë për parandalimin dhe luftimin e terrorizmit.
Autori i kësaj analize, Labinot Leposhtica tha se ky hulumtim i dedikohet vlerësimit të zbatimit të aktiviteteve që derivojnë prej strategjisë për parandalimin dhe luftimin e terrorizmit dhe planit të veprimit të kësaj strategjie.
Ai theksoi se ndër çështjet më të rëndësishme të evidentuara në këtë raport është përfshirja e ulët e subjekteve të dënuar për vepra që ndërlidhen me terrorizmin në programet e rehabilitimit dhe ri integrimit.
"Ky raport siç u evidentua edhe më parë në esencë i dedikohet vlerësimit të zbatimit të aktiviteteve që derivojnë prej strategjisë për parandalimin dhe luftimin e terrorizmit dhe planit të veprimit të kësaj strategjie...Një prej çështjeve më të rëndësishme që u evidentua me të drejtë është përfshirja relativisht e ulët e subjekteve të dënuar për vepra që ndërlidhen me terrorizmin në programet e rehabilitimit dhe riintegrimit. Fokusi i raportit përveç vlerësimit të aktiviteteve të strategjisë më shumë është i përqendruar në trajtimin e këtyre subjekteve në kontekst të burgut, por gjithsesi nuk është indiferent dhe nuk lë anash edhe veprimet të tjera përcjellëse”, tha Leposhtica.
Ndër të tjera, Leposhtica potencoi se të dënuarit për vepra që ndërlidhen me terrorizmin përbëjnë një rrezik më serioz dhe se sipas tij vetë kodi penal evidenton se ndaj tyre duhet pasur vëmendje të shtuar.
“Fakti që Republika e Kosovës ka zgjedhur një qasje gjithëpërfshirëse, nuk është kufizuar vetëm tek ndjekja, hetimi , gjykimi i këtyre subjekteve dhe dërgimi i tyre në burg. Aktualisht pjesë më e madhe e të dënuarve për terrorizëm dhe vepra që ndërlidhen me terrorizmin e të gjitha formave veçse kanë përfunduar dënimin dhe janë rikthyer në shoqëri...Janë 29 subjekte të cilat kanë ndjekur programet rehabilituese dhe riintegrimit gjatë qëndrimit të tyre në institucionet korrektuese...Të dënuarit për vepra që ndërlidhen me terrorizmin pa i nënvlerësuar format e tjera të kriminaliteti, gjithsesi përbëjnë një rrezik më serioz dhe vetë kodi penal e evidenton që ndaj këtyre subjekte duhet pasur një vëmendje të shtuar", shtoi Leposhtica.