“Është koha që KEDS dhe Qeveria të japin llogari”, Sejdiu ngre dyshime për transparencën e KEDS-it

Aktuale

“Është koha që KEDS dhe Qeveria të japin llogari”, Sejdiu ngre dyshime për transparencën e KEDS-it

Më: 27 shkurt 2025 Në ora: 19:45
Dardan Sejdiu

Analisti politik, Dardan Sejdiu, ka reaguar pas paralajmërimeve për një rritje të mundshme të tarifave të energjisë elektrike, duke vënë në pikëpyetje transparencën dhe menaxhimin e KEDS që nga privatizimi i tij në vitin 2013.

Sejdiu thekson se privatizimi i KEDS ka sjellë një histori me dy fytyra.

Sipas tij, konsorciumi blerës, Çalik & Limak, kishte premtuar investime prej 300 milionë eurosh për modernizimin e rrjetit, uljen e humbjeve dhe instalimin e njehsorëve inteligjentë. Megjithatë, sipas tij, realiteti ka rezultuar ndryshe.

“KEDS ka qenë jashtëzakonisht jo-transparent. Pasqyrat e saj financiare të audituara dorëzohen vetëm tek ZRRE-ja dhe nuk publikohen lehtësisht për publikun,” ka shkruar Sejdiu.

Ai ka theksuar se, ndërkohë që fitimet e kompanisë vazhdojnë të rriten, e njëjta gjë po ndodh edhe me çmimet e energjisë elektrike, ndërsa përfitimet e premtuara nga privatizimi nuk janë reflektuar te konsumatorët.

“Edhe kur fitimet e KEDS janë të dukshme – rreth 31 milionë euro në vitin 2015 dhe 25 milionë euro në vitin 2016 – qytetarët ende nuk kanë një pasqyrë të qartë mbi investimet e premtuara. Deri në shtator 2022, KEDS pretendon se ka investuar 203 milionë euro, por raportet e ekspertëve dhe analizat e pavarura ngrejnë dyshime serioze mbi këto shifra,” ka shtuar ai.

Sejdiu ka bërë thirrje për më shumë transparencë dhe llogaridhënie nga KEDS dhe autoritetet shtetërore.

Ai kërkon publikimin e raporteve financiare dhe krijimin e një komisioni hetimor për të verifikuar investimet e pretenduara.

“Është koha që KEDS, qeveria dhe autoritetet të japin llogari. Energjia është një nevojë jetike, dhe qytetarët meritojnë transparencë të plotë mbi mënyrën se si menaxhohet ky sektor,” përfundon Sejdiu.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat