Politika shihet si fajtore për zvarritjen e procesit për çështjen e të pagjeturve

Aktuale

Politika shihet si fajtore për zvarritjen e procesit për çështjen e të pagjeturve

Më: 27 shkurt 2025 Në ora: 20:22
Ilustrim

Ndonëse Kosova dhe Serbia ishin pajtuar për zbatim të plotë për Deklaratën për Personat e Pagjetur, procesi për identifikimin dhe gjetjen e mbetjeve mortore të personave të zhdukur nga lufta në Kosovë, vazhdon të jetë në një qorrsokak.

Kjo pasi që takimi i parë i Komisionit të Përbashkët i palës kosovare dhe asaj serbe, i planifikuar të mbahej në janar 2025 në Bruksel, dështoi.

Ky takim ishte planifikuar të mbahej me zëvendëskryesues të Komisioneve përkatëse, por prania e zyrtarit serb, Petar Petkoviq kishte ndikuar që takimi të dështonte. Kjo pasi Petkoviq si pretekst për mospjesëmarrje të zyrtarëve përkatës kishte përdorur një aksion të Policisë së Kosovës kundër strukturave ilegale serbe në Kosovë.

KALLXO.com, më 18.02.2025, i ka shkruar Bashkimit Evropian dhe përfaqësuesit të ri për Dialogun, Peter Sorensen për dështimin e takimit në Bruksel, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.

Gjithashtu, edhe Komisioni Qeveritar i Serbisë për personat e pagjetur nuk ka kthyer përgjigje rreth arsyeve të dështimit të takimit, në pyetjet e dërguara më 19.02.2025.

Kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur, Andin Hoti thotë se arsyetimi i palës serbe është politik.

“Atë ditë takimi i paraparë, që është organizu prej Bashkimit Evropian, jo prej neve, në Bruksel, në bazë të arsyetimit të tyre banal ka qenë z. Petkoviq. Ka qenë që për një ngjarje që ndodhi në Kosovë atë ditë, që unë e kam marrë vesh më vonë pastaj ngjarjen.” – thotë Hoti.

“Megjithatë kjo nuk ka qenë arsyeja e vetme, sepse unë e kam thënë në media. E para praninë e z. Petkoviq në Bruksel, që nuk ka pasur asnjë lloj arsyeje me qenë atje, sepse takimi nuk ka qenë i thirrur për të. Dhe e dyta, praninë e z. Odaloviq në Bruksel, te takimi – duke e ditur që ne nuk pranojmë takim me z. Odaloviq. Domethënë, ajo çka kam konkluduar unë është se ata e kanë pasur planin A, B, C. Plani A dështon, atëherë plani B, C.” – tha Hoti.

Andin Hoti thotë se edhe pse atë ditë takimi me palën serbe dështoi, ekipi nga Kosova ka hyrë në takim me përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe i kanë paraqitur kërkesat e tyre.

“Kërkesat tona ne ia kemi dorëzu personit i cili ka qenë i deleguar prej z. Lajçak dhe këto që i thashë janë arkivat e klasifikuara. Ose, me i ra më shkurt, zbatimi i Deklaratës së Personave të Zhdukur, sepse në kuadër të zbatimit të Deklaratës janë të përfshira të gjitha këto që po i them. Neve na është premtuar prej z. Lajçak. A ka ndodhur një gjë e tillë? Nuk e di. Sepse, nuk kam qasje atje. Që këto kërkesa dhe moshyrjen e Serbisë në takim do t’iu raportohet vendeve të BE-së – ashtu siç parashihet – nuk e di, nëse ka ndodhë një gjë e tillë.” – tha ai.

Silvana Milenkoviq, një aktiviste e Shoqërisë civile nga Graçanica, e cila avokon për çështjen e të pagjeturve, thotë se dështimi i takimit në Bruksel nuk është diçka e re për familjarët e personave të zhdukur. Ajo thotë se nuk është hera e parë që atyre iu jepet shpresë e madhe, por në fund familjarët mbesin të dëshpëruar.

“Me keqardhje ne familjarët e të zhdukurve (e kemi pritur). Nuk është asgjë e re për neve, sepse ne e kemi pritur. Sepse, nuk është hera e parë që familjarëve të të zhdukurve iu jepet shpresë e madhe. Familjarët e presin shumë atë Dialog. Por, si herat e kaluara, edhe tash Dialogu nuk është përdorur dhe patjetër që familjarët janë dëshpëruar.” – tha Milenkoviq.

Për Bekim Blakajn nga Fondi për të Drejtën Humanitare dështimi i takimit në Bruksel është një tjetër konfirmim se çështja e të pagjeturve nuk është duke u trajtuar si çështje humanitare. Blakaj thotë se arsyetimi për dështimin e takimit është politik.

“Për fat të keq, është edhe një konfirmim tjetër që çështjen e personave të zhdukur nuk janë duke e trajtuar si çështje humanitare. Pra, preteksti për mosmbajtjen e atij takimi ishte pretekst politik. Pjesëmarrës në takim është dashtë me qenë persona të cilët nuk janë të nivelit politik, ndërsa atje u paraqit Përfaqësuesi serb i nivelit politik. Pra, është e qartë se çështjen e personave të zhdukur, së paku në Serbi, e trajtojnë ende si çështje politike.” – tha Blakaj.

Blakaj thotë se pas zhvillimeve në Kosovë për shkak të Zgjedhjeve dhe për shkak të ndërrimit të zyrtarëve të lartë të BE-së për Dialogun, procesi edhe më tutje mund të ketë zvarritje.

“Ne kemi pasë tash Zgjedhje. Duhet pak kohë derisa të konsolidohet Qeveria e re dhe besoj që për një periudhë të caktuar nuk do të ketë takime të ngjashme. Pra, nismë që ata të takohen. Nga ana tjetër, edhe zyrtarët e lartë të BE-së janë ndërruar tashmë: ata që do të merren me Dialogun. Kështu që, nuk pres së shpejti një takim të radhës. Sidoqoftë, brenda këtij viti unë po shpresoj që do të ndodhë ky takim, sepse pastaj nuk do të ketë sens as Marrëveshja e dakorduar në Ohër.” – tha Blakaj.

Për numrin e personave të cilët konsiderohen të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë nuk ka ende një shifër të saktë dhe zyrtare. Agjencia e Statistikave të Kosovës në regjistrimin e fundit të popullsisë tregoi se nga lufta janë zhdukur 1,407 persona, janë plagosur 6,682, janë burgosur 3,312, si dhe kanë pësuar torturë, dhunë, pasoja psikologjike 193,765 njerëz. Sipas të dhënave të Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë konsiderohen ende të zhdukur edhe 1,636 persona, kurse Komisioni Qeveritar për Personat e Pagjetur thotë se janë të pagjetur edhe 1,595 persona.

Në dhjetor 2024, Kosova dhe Serbia ishin pajtuar për zbatim të plotë për Deklaratën e Personave të Pagjetur. Kjo Deklaratë e Përbashkët në mes të dyja shteteve ishte miratuar në maj të vitit 2023, në kuadër të Dialogut dhe përmbante zotime, si: qasje të plotë në informacione të besueshme, mes tyre edhe ato me status të klasifikuar; vënie në dispozicion të të gjitha dokumenteve me rëndësi për përcaktimin e fatit të personave të zhdukur, si dhe punë të përbashkët përmes një Komisioni të kryesuar nga Bashkimi Evropian.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat