Dështoi edhe përpjekja e radhës për konstituim

Aktuale

Dështoi edhe përpjekja e radhës për konstituim

Më: 5 korrik 2025 Në ora: 20:18 Përditësuar në ora: 21:49 më 05.07.2025
Kuvendi

Haxhiu: Nuk ka kuptim qëndrimi i opozitës, me votim të fshehtë emri im do votohet vetëm një herë

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu pas dështimit për herë të 42'të të konstituimit të Kuvendit të Kosovës tha se qëndrimi i opozitës nuk ka kuptim.

Haxhiu thotë se LVV e ka të pamundur që të konstituojë Kuvendin e Kosovës vetëm duke shtuar se përgjegjësia është e të gjithëve të japin kontributin e tyre, shkruan KosovaPress.

Haxhiu: Nuk ka kuptim qëndrimi i opozitës, është e pamundur që LVV e vetme ta konstituojë Kuvendin e Kosovës

“Për mua nuk ka kuptim ky qëndrim i opozitës. Është shkeljeje e Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Shkelje e dy aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese...Kemi reflektuar, kemi bërë kompromise, por në anën tjetër, ka qenë e pamundshme që vetëm LVV-ja të arrijë ta konstituojë Kuvendin e Kosovës. Është përgjegjësi e të gjithëve që të japin kontributin e tyre”, tha Haxhiu.

Kandidatja për kryeparlamentare rikonfirmoi qëndrimin se emri i saj do të votohet vetëm një herë me votim të fshehtë.

Haxhiu: Emri im me votim të fshehtë shkon vetëm një herë, nuk do të ketë herë të dytë

“Nuk e kam dëgjuar se çfarë ka thënë deputeti Berisha. Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese ka thënë që votimi i fshehtë nuk është shkelje e kushtetutës. Pra, kjo është konfirmuar...Unë kam thënë se emri im me votim të fshehtë shkon vetëm një herë. Nuk do të ketë herë të dytë. Propozimi i dytë është që ne kemi thënë le ta bëjmë një marrëveshje bashkërisht e rrëzojmë komisionin për votimin e fshehtë. Pastaj, merremi vesh për kryetarin e kuvendit dhe në anën tjetër për kryetarët. Nuk ka kuptim për mua që të thuash se po shkoj në takim sepse po dëshmoj vullnet për ta ndryshuar gjendjen, por në anën tjetër të mos bësh asnjë lëvizje. Madje, të bësh regres”, tha Haxhiu.

Seanca konstituive e thirrur të mbahej sot në orën 11:00 u shtye për në orën 20:00 për shkak të paralajmërimit për shpërthimin e një bombe brenda ndërtesë së Kuvendit të Kosovës.

Pas kësaj, Policia e Kosovës kërkoi nga deputetët që ta lirojnë ndërtesën.

Murati: Tentonin që të uzurponin foltoren, duke pretenduar se ka shkelje kushtetuese

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, pas dështimit për herë të 42-të të seancës konstituive tha se është për keqardhje qëndrimi i vazhdueshëm i partive të tjera , të cilat sipas tij po bëjnë shkelje të kushtetutës në vazhdimësi.

Sipas tij, deputetët e partive që deri më tani ishin në opozitë po tentojnë ta uzurpojnë foltoren e kuvendit, me pretendimin se po ndryshohet rendi i ditës.

“Është për keqardhje qëndrimi i vazhdueshëm i partive opozitare dhe në shkelje të Kushtetutës në vazhdimësi. Ju e dëgjuat teksa tentonin që të uzurponin foltoren, duke pretenduar se ka shkelje kushtetuese dhe po ndryshohet rendi i ditës. Kur në fakt, kryesuesi i seancës zotri Dehari e theksoi qartë që bëhet fjalë për pikën tretë të rendit të ditës që është votimi i kryetarit të kryetarit. Nuk ka ndryshim të rendit të ditës, është shpifje, është e pavërtetë ajo që po thuhet nga opozita,” deklaroi Murati.

Murati potencoi se shkelja e Kushtetutës po bëhet nga opozita përmes refuzimit të saj për të marrë pjesë në votim. Sipas tij, çështja e formës së votimit është sqaruar qartë nga Gjykata Kushtetuese.

“Nëse ka ndonjë shkelje kushtetuese dhe rregullores së punës së kuvendit, është mosvotimi që deputetët e opozitës po bëjnë tash e disa herë duke mos marrë pjesë në votim. Në shtjellimin e saj, Gjykata Kushtetuese ia ka dhënë përgjigje çështjes së a është votimi i fshehtë është i lejuar apo jo”, tha Murati.

Murati theksoi se situata aktuale ka dy zgjidhje: arritja e një konsensusi, që sipas tij është penguar në vazhdimësi nga opozita, ose votimi i drejtpërdrejtë.

“Kemi dy situata këtu: ose duhet që të ketë konsensus, të cilin e kanë refuzuar në vazhdimësi partitë opozitare, ose duhet që të shkohet në votim dhe të gjendet rruga më e lehtë për të gjetur zgjidhjen dhe për konstituar kuvendin,” tha Murati.

Sot dështoi për herë të 42-të konstituimi i Kuvendit të Kosovës.

Çitaku: Kuvendi nuk është as hotel, as restorant ku hyjnë e dalin njerëzit pa asnjë lloj kontrolle

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku tha se situata e krijuar sot pas paralajmërimit për bombë në Kuvendin e Kosovës shpërfaqi dëmtimin e skajshëm të mekanizmave të sektorit të sigurisë.

Çitaku tha se Kuvendi i Kosovës nuk është hotel e as restorant ku hyjnë e dalin njerëzit pa asnjë kontroll. Siç tha ajo Kuvendi i Kosovës është institucioni më i lartë shtetëror.

Ajo i bëri thirrje kryeministrit në detyrë, Albin Kurti që të reflektojë, pasi sipas saj Kosova është më e madhe sesa ai.

“Sot të gjithë ishim dëshmitarë të një situate që shkaktoi panik. E cila në të njëjtën kohë shpërfaqi dëmtimin e skajshëm të mekanizmave të sektorit të sigurisë në këtë vend nga qeveria e më parshme Kurti. Si është e mundur që një telefonatë anonime ta detyrojë Kuvendin e Republikës së Kosovës ta braktisë seancën. 120 deputetë të largohen nga salla pa asnjë lloj verifikimi dhe vlerësimi…Ky është institucioni më i lartë i vendit. Nuk është as hotel, as restorant ku hyjnë e dalin njerëzit pa asnjë lloj kontrolle. Si është e mudnur që institucioni më i lartë në vend është turpëruar. Përtej turpit, shkaktuam frikë e panikë anë e kënd. I bëjmë thirrje deputetit Albin Kurtit që të reflektojë, Kosova është më e madhe se ai. Ne nuk do të lejojmë të përbaltet e të rrënohet diçka që bashkërisht e kemi ndërtuar me shumë mund të sakrificë”, tha Çitaku.

Këtë deklarim Çitaku e bëri pas dështimit të 42-të të seancës konstituive, me ç’rast disa nga deputetët e ish-opozitës qëndruan ende në sallë.

Murati fajëson opozitës: Nuk ka ndryshim të rendit të ditës, është shpifje

Në seancën e 42-të ku dështoi përsëri konstituimi i Kuvendit, seputeti i VV’së, Hekuran Murati thotë se opozita po vazhdon me shkeljen e Kushtetutës.

“Është për keqardhje qëndrimi i vazhdueshëm i partive opozitare dhe shkelja e Kushtetues në vazhdimësi”.

Murati thotë se nuk u ndryshua rendi i ditës, por është vetëm pretendim, dhe shpifje e opozitës.

“I dëgjuat derisa tentonin të uzurponin foltoren duke pretenduar se ka shkelje kushtetuese kur në fakt kryesuesi i seancës e theksoj qartë se bëhet fjalë për pikën 3 të rendit të ditës që është votimi i kryetarit të Kuvendit. Pra nuk ka ndryshim të rendit të ditës. Është shpifje, e pavërtetë”, tha Murati.

Seanca e radhës, të hënën në ora 11:00

Kryesuesi i Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari i LVV-së, pas dështimit të 42-të për themelimin e Komisionit për votim të fshehtë, njoftoi për ndërprerjen e këtij vazhdimi.

Ai tha se e radhës do të mbahet pas më pak se 48 orëve, të hënën nga ora 11:00.

Deputetët e partive PDK, LDK, AAK e partive tjera më të vogla nuk po e votojnë themelimin e Komisionit për votim të fshehtë.

Këto parti janë shprehur kundër kandidates së propozuar nga LVV për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu.

S’ka kompromis e as konsensus, dështon sërish konstituimi i Kuvendit

S’ka kompromis e as konsensus.

Ka dështuar për të 42-tën herë konstituimi i Kuvendit të Kosovës.

Deputetët e partive PDK, LDK, AAK e partive tjera më të vogla nuk po e votojnë themelimin e Komisionit për votim të fshehtë.

Këto parti janë shprehur kundër kandidates së propozuar nga LVV për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu.

Nis vazhdimi i 42-të i seancës konstituive

Me deklarimin e kryesuesit të seancës, Avni Dehari, ka nisur vazhdimi i 42-të i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.

Në seancë janë shumica e deputetëve nga të gjitha grupet parlamentare

Se çfarë do të na sjellë kjo seancë, mbetet të shohim meqë ka paralajmërime nga deputetë që mund të votojnë pro Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit.

Një nga ta është Bekë Berisha i AAK-së, i cili tha se do të votojë për secilin kandidat që e propozon LVV-ja

Lushaku - Sadriu: Ishim të shqetësuar për situatën e krijuar, ndjehem e sigurtë në Kuvendin e Kosovës

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku Sadriu tha se situata e krijuar në Kuvendin e Kosovës pas alarmit për bombë shqetësoi atë si të gjithë qytetarët e Kosovës.

Sadriu para seancës së 42'të konstituive të Kuvendit të Kosovës tha se Lëvizja Vetëvendosje duhet ta respektoj rendin ashtu siç ka rekomanduar Gjykata Kushtetuese, transmeton kp.

"Jo ishim të shqetësuar si të gjithë qytetarët e Kosovës. Shpresoj shumë që mos të ndodhë më. Ne i bëjmë thirrje LVV-së që ta respektoj rendin, atë e ka thënë Gjykata Kushtetuese dhe shpresojmë që kjo të ndodhë", tha Sadriu.

Tutje Sadriu tha se ndihet e sigurtë në Kuvendin e Kosovës, teksa shtoi se është e rëndësishme që institucionet e vendit të garantojnë siguri të plotë.

Shpresoj që policia ta ketë sqaruar, është e rëndësishme shteti të garantojë që institucionet e veta mbajnë edhe seanca edhe mbledhje dhe kanë siguri të plotë.Ndjehem absolutisht e sigurtë, kemi ardhur sot që ta votojmë propozimin për një kryetar të kuvendit dhe shpresoj që kjo të ndodhë", përfundoi ajo.

Kujtojmë që seanca e sotme ishte paraparë të mbahej në ora 11:00, por është shtyer për ora 20:00 pas alarmit për bombë në Kuvendin e Kosovës.

​Berisha: Do ta votoj këdo me votim të hapur

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bekë Berisha tha se do ta votojë këdo që do të propozohet për kryetar të Kuvendit të Kosovës nëse votimi do të bëhet i hapur.

Para fillimit të seancës konstituive për herë të 42-të, Berisha tha se nëse ka sot prezencë të deputetëve për ta rrëzuar opsionin për votim të fshehtë, do të ketë reflektim.

Berisha: Do ta votoj këdo që ta qesin me votim të hapur

“Nëse ka sot prezencë të deputetëve që mund të rrëzohet ai opsion, është rrugëdalje dhe reflektim. Por, që jo seancën e ardhme besoj që do ta rrëzojmë sepse ka njerëz që duan ta rrëzojnë këtë opsion. Kur të dalim të hapur pastaj duhet të kryejmë këtë punë. Po, bash kë ta qesin”, tha Berisha.

Ndërkaq, lidhur me kërcënimin paraditen e sotme për shpërthimin e një bombe, Berisha u shpreh se nuk ka pasur ndonjë shqetësim, pasi sipas tij është ditur se është alarm i rrejshëm.

Berisha: Nuk kemi pasur ndonjë shqetësim se është pritur të jetë i rrejshëm

“Nuk kemi pasur ndonjë shqetësim se është pritur të jetë i rrejshëm. Mirëpo, kjo situatë besoj që është bërë e tepërt. Ne duhet të reflektojmë të gjithë. Duket se duan të bëjnë një mocion për çështjen e ndërrimit të votimit. Kur dalim në atë pjesën e votimit të hapur besoj që do të reflektojë unë së pari. Së pari unë do të reflektojë, së pari unë nuk dua që në kurriz të Kosovës të mbajë hidhërim me askënd. As nuk ma determinon mendimin poltik as opozita. Unë nuk jam opozitë, se këtu nuk dihet se kush do ta bëjë qeverinë”, tha Berisha.

Zemaj: Besojmë që VV-ja do ta gjejë mirëkuptimin për zgjedhjen e kryeparlamentarit

Deputeti Armend Zemaj sot para seancës për konstituimin e Kuvendit u shpreh se besojnë që VV-ja do ta gjejë mirëkuptimin që ta kryejë procedurën e zgjedhjes së kryeparlamentarit.

Ai tha se këto duhet të përfundojnë për të kaluar pastaj në atë se kush do ta formojë Qeverinë.

“Ajo çka duhet të jetë kërkesë besojmë që Lëvizja Vetëvendosje do ta gjejë mirëkuptimin, konsenzusin dhe mirëbesimin që sa më shpejt ta kryejmë procedurën e zgjedhjet së Kryetarit të Kuvendit, konstituimit të Kuvendit dhe të kalojmë atëherë kush mund ta bëjë Qeverinë”, u shpreh ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat