Menjëherë pas dështimit për konstituimin e Kuvendit, vazhdoi përplasja deklarative pozitë-opozitë, në akuzuat për shkelje kushtetuese dhe mbjtje peng të institucioneve.
Ministri në detyrë, Hekuran Murati pas seancës, tha se pikërisht mosvotimi nga ana e opozitës është shkelje e Kushtetutës, duke mos marrë pjesë fare në votim, pra kështu e shkelin obligimin e tyre kushtetues.
“Është për keqardhje qëndrimi i vazhdueshëm i partive opozitare dhe shkelja e Kushtetutës në vazhdimësi. Kryesuesi e ka sqaruar qartë se nuk ka pasur ndryshim të rendit të ditës dhe se pretendimet për shkelje janë të pavërteta dhe tentim për të uzurpuar foltoren” deklaroi Murati.
Nga foltorja e Kuvendit të Kosovës, deputetja nga radhët e PDK-së, Vlora Çitaku, tha se sot në Kuvendin e Kosovës ishte një situatë që shkaktoi panik, por që, në të njëjtën kohë, shpërfaqi dëmtimin e skajshëm të mekanizmave të sektorit të sigurisë në këtë vend nga qeveria e mëparshme Kurti.
“Këtu jemi peng i kryeneçësisë dhe kokëfortësisë së Albin Kurtit dhe Albulena Haxhiut për më tepër që pas aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese nuk është vetëm kokëfortësi, është përpjekje e qartë për përmbysje të rendit kushtetues, këtë situatë nuk do ta lejojmë”, deklaroi Çitaku.
Deputetja Lushaku, nga LDK tha se “sot do të mund të flitej për reforma në arsim, për infrastrukturë të përmirësuar për çdo familje, për biznese prodhuese, për një shëndetësi më të mirë”, por kjo nuk po ndodhë.
Time Kadrijaj, ndërkaq nga radhët e AAK-së, tha se si parti aleanca ka ofruar zgjidhje, alternativa edhe në takimet që kemi qenë me Albin Kurtin, të cilit i kemi thënë që jemi për konstituimin e Kuvendit, por edhe për respektimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese.