Policia e Kosovës njofton se kërcënimi me mjet shpërthyes në Kuvendin e Kosovës, i raportuar sot paradite, dyshohet të jetë bërë përmes një numër që mendohet të ketë origjinë nga territori i Serbisë.
Gjithashtu, Policia ka njoftuar se janë duke u ndërmarrë masa shtesë hetimore, duke përfshirë bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë të sigurisë, për të identifikuar dhe lokalizuar mjetet teknologjike dhe rrjetet e komunikimit që janë përdorur në këtë kërcënim.
“Lidhur me rastin e kërcënimit me mjet shpërthyes, të ndodhur sot në orët e paraditës në objektin shtetëror të RKS-së, Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet e sigurisë, ka vazhduar hetimet intensive, me qëllim të ndriqimit dhe zbulimit të kërcënimit.
Bazuar në hetimet e deritanishme, dyshohet se kërcënimet kanë ardhur përmes një numri të telefonit i cili dyshohet se është nga Serbia.
Policia në bashkëpunim me prokurorinë kompetente do të vazhdojë hetimet e mëtejme, duke marrur të gjitha masat hetimore, përfshirë edhe komunikimet me partnerë ndërkombëtar të sigurisë, për të lokalizuar mjetet, rrjetet e komunikimit që janë përdoruar në këtë kërcënim”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.