Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, bashkë me nënkryetaren Albulena Haxhiu, kanë bërë sot homazhe në Prekaz dhe te varri i Presidentit historik, Ibrahim Rugova, duke nderuar dy prej figurave më të mëdha të historisë së Kosovës.
Basha tha se heroizmi i Komandantit Adem Jashari dhe sakrifica sublime e 58 anëtarëve të familjes së tij mbeten themeli mbi të cilin u ngrit liria dhe pavarësia e Kosovës. “Prekazi është përjetësisht burim frymëzimi për vetëdijen tonë kombëtare, për unitetin dhe përkushtimin ndaj atdheut,” u shpreh ai.

Më pas, Basha vizitoi varrin e Presidentit Rugova, të cilin e përshkroi si udhëheqës vizionar që i dha drejtim shtetformimit të Kosovës. “Rugova e kishte të qartë se kompromisi i vetëm ishte pavarësia, dhe asgjë më pak,” theksoi ai.
Sipas Bashës, sakrifica e Adem Jasharit dhe vizioni politik i Ibrahim Rugovës janë dy shtyllat mbi të cilat u ndërtua shteti i Kosovës, dhe është obligim i brezave të sotëm që të vazhdojnë rrugën që ata trasuan.
