Ndërrimi i komandës në KFOR – Osmani dhe Barduani me mesazhe të forta për paqen dhe identitetin euroatlantik të Kosovës

Aktuale

Ndërrimi i komandës në KFOR – Osmani dhe Barduani me mesazhe të forta për paqen dhe identitetin euroatlantik të Kosovës

Nga: Bota sot Më: 3 tetor 2025 Në ora: 07:06 Përditësuar në ora: 12:19 më 03.10.2025
Foto nga vendi i ngjarjes

Ulutash rikthehet në komandën e KFOR-it

Gjeneralmajori turk, Ozkan Ulutash, ka rimarrë detyrën e komandantit të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Ai zëvendëson në krye të KFOR-it gjeneralmajorin italian, Enrico Barduanin, i cili më 11 tetor 2024 kishte marrë udhëheqjen e misionit pikërisht nga gjenerali Ulutash.

“Ne jemi të gatshëm dhe plotësisht të përkushtuar për të përmbushur misionin tonë për paqe të qëndrueshme në Kosovë dhe për stabilitetin rajonal. Do ta bëjmë këtë përmes aktiviteteve të ndryshme në terren, por edhe përmes mbështetjes tonë të fuqishme për dialogun për normalizimin e raporteve mes Beogradit dhe Prishtinës, që është rruga drejt stabilitetit”, tha Ulutash.

Ulutash falënderoi paraardhësin e tij për punën e bërë dhe tha se është i gatshëm që të punojë drejt konsolidimit të mëtejmë me autoritetet e Kosovës.

“Llogaris në vazhdimin e bashkëpunimit me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, në rolet e tyre respektive të sigurisë”, tha Ulutash.

Komandanti i 30-të i KFOR-it tha se misioni ka prani në mbarë Kosovën dhe “është i gatshëm të trajtojë çdo zhvillim të sigurisë”.

Ulutash tha se prioritet mbetet që të përmbushet misioni i KFOR-it për të ofruar një mjedis të sigurt dhe liri të lëvizjet për të gjitha komunitetet.

Kjo është hera e dytë që KFOR-i udhëhiqet nga një komandat turk.

Mandati i parë njëvjeçar i Ulutashit në krye të KFOR-it nisi në tetor të vitit 2023 dhe përfundoi në tetor të vitit pasues.

Osmani: NATO, jo vetëm synim strategjik, por përfaqësim i identitetit të Kosovës

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, në ceremoninë e Ndërrimit të Komandës në Shtabin e KFOR-it, ka shfaqur edhe një herë aspiratat e Kosovës për anëtarësim në NATO.

Sipas Osmanit, anëtarësimi në NATO nuk është vetëm një zgjedhje strategjike, por sipas saj, është një pasqyrë e asaj se kush në të vërtetë është Kosova.

“Sot por edhe historikisht, populli i Kosovës gjithnjë është rreshtuar me vlerat e lirisë, demokracisë dhe sigurisë së përbashkët. Kjo është arsyeja pse aspirata jonë për tu anëtarësuar në NATO nuk është vetëm një zgjedhje strategjike, por pasqyrë e asaj se kush jemi”.

“Në kohën kur kërcënimet ndaj paqes po rriten, aleanca është më e fuqishme kur qëndron me partnerë të cilët kanë dëshmuar përkushtimin e tyre. Kosova e ka bërë këtë vazhdimisht, përmes qëndrueshmërisë sonë, reformave tona dhe vendosmërisë së popullit tonë”.

“Dhe ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë krah aleatëve tanë, pasi vetëm së bashku mund të sigurojmë që paqja e fituar me mund sot të bëhet paqja e qëndrueshme e nesër”, u shpreh Osmani.

Tutje, e para e shtetit u shpreh se ka vende të cilat përpiqen që të zhbëjnë gjithçka ka arritur Kosova, dhe sipas saj, duan që vendin ta kthejnë në të shkuarën.

“Partneriteti s’mund tu jepet atyre që kryejnë agresione ndaj fqinjëve. Vetëm nëpërmjet qëndrueshmërisë dhe qartësisë mund ta mbrojmë paqen, stabilitetin dhe të ardhmen që e duam të gjithë”

“Historia na ka treguar rëndësinë e qëndrimit krah për krah me ata që ndajnë vlerat tona. Vetë Kosova është ndërtuar mbi të njëjtat themele që na lidhin me aleatët tanë e që janë demokracia, sundimi i ligjit dhe të drejtat e njeriut. Dhe Kosova gjithmonë do të qëndrojë me ju në mbrojtje të këtyre vlerave”, tha Osmani

Barduani: Ka sfida në siguri, zgjidhja është politike, jo ushtarake

Gjeneralmajori i Ushtrisë Italiane, Enrico Barduani, në fjalën e tij të fundit si komandant i KFOR, është shprehur se ende ekzistojnë disa shqetësime në aspektin e sigurisë në Kosovë.

Barduani u shpreh se që nga viti 1999 situata është përmirësuar ndjeshëm, por sipas tij, ka shqetësime për humbjen e sigurisë si shkak i disa çështjeve të pazgjidhura.

“Ende ka shqetësime për humbjen e sigurisë si shkak i disa çështjeve të pazgjidhura dhe për këtë arsye, roli i KFOR-it mbetet thelbësor dhe kritik për tu parë si pjesë integrale e angazhimit të mëtejmë të bashkësisë më të gjerë ndërkombëtare”, tha Barduani.

Tutje, ai u shpreh se NATO vazhdon ta mbështes dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë, teksa potencoi se rruga drejt paqes dhe sigurisë nuk është ushtarake por politike.

“NATO vazhdon ta mbështesë plotësisht dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, dhe KFOR-i po luan rolin e vet në këtë drejtim”.

“Dialogu i lehtësuar nga BE-ja është një kornizë për zgjidhjen e çështjeve të hapura dhe për arritjen e zgjidhjeve që respektojnë të drejtat e të gjitha komuniteteve. Rruga drejt paqes dhe sigurisë nuk është ushtarake, është politike”, tha ai.

​Nis ceremonia e ndërrimit të komandës së KFOR-it

Në kampin e KFOR-it, Film City ka filluar ceremonia e Ndërrimit të Komandës. Gjeneralmajori i ushtrisë italiane, Enrico Barduani, do t’ia dorëzojë komandën e KFOR-it gjeneralmajorit të ushtrisë turke, Özkan Ulutas.

Në këtë ceremoni po marrin pjesë edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

Në këtë ceremoni janë të pranishëm edhe ministra në detyrë në mesin e të cilëve edhe ai i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci. Ndërsa, nuk mungojnë as ish-presidentët, Fatmir Sejdiu e Atifete Jahjaga.

I pranishëm në këtë ceremoni është edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj si dhe përfaqësues nga kori diplomatik.

Sot bëhet ndërrimi i komandës së KFOR-it në Kosovë

Sot në Kamp Film City në Prishtinë, do të mbahet ceremonia e ndërrimit të Komandës në Shtabin e KFOR-it. Gjeneralmajori i Ushtrisë Italiane, Enrico Barduani, do t’i dorëzojë komandën e KFOR-it gjeneralmajorit të Ushtrisë Turke, Özkan Ulutas.

Ndryshe dje në selinë e KFOR-it, në Kampin Film City (Prishtinë), u mbajt inaugurimi simbolik i stemës dhe ngritja e flamurit të KFOR-it, për të shënuar vazhdimësinë e misionit të udhëhequr nga NATO në Kosovë.

Kjo është një traditë e hershme në historinë e KFOR-it. Ajo paraqet kalimin pa ndërprerje ndërmjet dy komandantëve të KFOR-it dhe dëshmon përkushtimin dhe lidershipin e komandantit që përfundon mandatin, si dhe gatishmërinë e komandantit të ri për të marrë përgjegjësitë e reja. Po ashtu, kjo simbolizon trashëgiminë e KFOR-it dhe përkushtimin e palëkundur për të vazhduar kontributin në siguri afatgjatë në Kosovë dhe stabilitet rajonal, në dobi të të gjitha komuniteteve.

Ngjarja u zhvillua në sheshin Sir Michael Jackson – së fundmi i emëruar me emrin e komandantit të parë të KFOR-it.

Gjeneral Major Enrico Barduani, dhe Gjeneral Major Özkan Ulutaş, kryesuan ceremoninë.

KFOR është misioni më i gjatë i NATO-s dhe aktualisht më i madhi në historinë e Aleancës Atlantike. 

Ai mbetet plotësisht i përkushtuar për të ruajtur një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe për të siguruar lirinë e lëvizjes, në përputhje me mandatin e tij afatgjatë, të bazuar në Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999, si dhe në koordinim me Policinë e Kosovës dhe misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë, në rolet e tyre përkatëse si përgjegjës për sigurinë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat