Rrëmbim dhe plagosje brenda territorit të Kosovës nga xhandarmëria serbe, reagon Osmani

Aktuale

Rrëmbim dhe plagosje brenda territorit të Kosovës nga xhandarmëria serbe, reagon Osmani

Më: 4 nëntor 2025 Në ora: 20:02
Presidentja Vjosa Osmani në konferencën për medie

Presidentja Vjosa Osmani ka folur për rastin e një qytetari të Kosovës, me kombësi serbe, i cili është plagosur nga xhandarmëria serbe brenda territorit të Kosovës dhe më pas është rrëmbyer.

Ajo e ka cilësuar këtë rast si “sulm që rrezikon paqen dhe stabilitetin në tërë rajonin.”

“Të vetmet informacione që i kemi janë rezultatet e hetimeve që i kemi nga deklaratat e dëshmitarëve dhe familjarëve të tij. Të gjitha masat janë duke u marrë nga institucionet e Kosovës për të parë gjendjen shëndetësore të qytetarit të Republikës së Kosovës, lokacionin e saktë ku gjendet për momentin, por nga informatat që i kemi nga dëshmitarët dhe familjarët e tij, ai është plagosur me qëllim që të vritet, dhe pastaj është tërhequr duke u kidnapuar”.

“Ky është një sulm që rrezikon paqen dhe stabilitetin jo vetëm në zonën tonë kufitare, por në të gjithë rajonin tonë. Në mënyrë që të mos i ndërprejë institucionet tona në hetim, do t’i lë që rezultatet e këtyre hetimeve, që po bëhen edhe me mbështetjen e aleatëve tanë, përfundimisht të publikohen nga ana e Policisë. Por natyrisht se dyshimi është se ka pasur edhe shkelje të sovranitetit, edhe sulm ndaj një qytetarit të Kosovës”, deklaroi Presidentja.

Ajo tha se Policisë së Kosovës i duhet shumë pak kohë që t’i vazhdojë hetimet “së bashku me institucionet tjera, përfshirë Inteligjencën dhe aleatët tanë, para se të dalë raporti i plotë”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat