KQZ publikon shpenzimet tremujore të partive politike

Aktuale

KQZ publikon shpenzimet tremujore të partive politike

Më: 6 shkurt 2026 Në ora: 13:17
Foto ilustruese

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka publikuar raportin e shpenzimeve tremujore të subjekteve politike për periudhën tetor–dhjetor 2025, në bazë të rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më 9 shkurt 2025.

Sipas të dhënave të bëra publike nga KQZ-ja, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) kryeson listën e shpenzimeve, duke raportuar rreth 1 milion e 263 mijë euro të shpenzuara gjatë kësaj periudhe tremujore.

Në vendin e dytë renditet Partia Demokratike e Kosovës (PDK), e cila ka deklaruar shpenzime në vlerë prej rreth 280 mijë e 822 euro.

Ndërkohë, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka raportuar shpenzime prej rreth 224 mijë e 859 euro, po ashtu për periudhën tetor–dhjetor 2025.

Nga ana tjetër, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka bërë të ditur se shpenzimet e saj gjatë kësaj periudhe raportuese kanë qenë rreth 70 mijë euro.

KQZ ka theksuar se publikimi i këtyre të dhënave realizohet në kuadër të rritjes së transparencës dhe monitorimit të financimit të subjekteve politike, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat