Në Dhomat e Specializuara të Kosovës edhe sot ka vazhduar dhënien e dëshmisë ekspertja e linguistikës forenzike, Helen Fraser e cila është dëshmitare e mbrojtjes. Ekspertja nga Australia deklaroi se raporti i saj bazohet në një përqindje të vogël të audiove që i ka dosja gjyqësore ndaj Thaçit dhe të tjerët në rastin “kundër administrimit të drejtësisë“.
Ekspertja e linguistikës forenzike edhe sot po vazhdon t’iu përgjigjet pyetjeve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, ndërsa të akuzuarit seancën e sotme po e ndjekin përmes video-lidhjes.
Gjatë marrjes në pyetje prokurori i specializuar e pyeti eksperten e linguistikës forenzike, Helen Fraser, nëse mbrojtjes së Hashim Thaçit i kishte dorëzuar ndonjë version paraprak para raportit final, dhe ajo konfirmoi se kjo kishte ndodhur.
Më pas, prokurori, Joshua Hafetz tha se ekspertja Helen Fraser kishte analizuar vetëm tetë audio-incizime, më pak se 3% të materialit total. Ai theksoi se kjo do të thotë se ajo nuk ka njohuri për 97% të pjesës tjetër të dosjeve audio, gjë me të cilën Fraser u pajtua.
Hafetz: Ju nuk dini asgjë për 97% të audiove në këtë dosje gjyqësore
“Në raportin tuaj thuhet se keni marr në total thjesht 8 dosje me audio që është më pak se 3%... Fraser: S’kam bërë llogari, por në rregull... Hafetz: Po kështu mund të jetë... Fraser: Po... Hafetz: Pra i bie që ju nuk dini asgjë për 97% e mbetur të dosjeve audio në këtë dosje gjyqësore... Fraser: Po”, tha ajo.
Dëshmitarja e mbrojtjes më tej deklaroi se pretendimet e raportit të saj janë të bazuara në materialin e vizitave të 3 dhe 6 shtatorit 2023 që janë bërë në Qendrën e Paraburgimit në Hagë.
Fraser: Pretendimet e mija i kam mbështetur në dy vizita
“Këtë material kam pas në dispozicion dhe më është thënë se këto materiale ishin përfaqësuese, unë nuk kam parë materiale të tjera dhe pretendimet e mija i kam mbështetur në këto dy vizita”, u shpreh ekspertja.
Prokurori, Joshua Hafetz karshi dëshmitares sot adresoi pyetje edhe rreth komenteve që ajo ka bërë në raportin e saj sa i përket transkriptimit të zhurmës së letrave.
Ekspertja e linguistikës forenzike deklaroi se ata tinguj kanë shkuar përtej asaj që është objektivisht e transkriptueshme.
Hafetz pyet eksperten rreth transkriptimit të zhurmës së letrës
“Ju thoni që në transkript ka shumë komente kontekstuale mes të cilave edhe komente lidhur me zhurmën e letrave... Fraser:Unë e kuptoj ku është keqkuptimi, unë këtu kam dashur t’i referohem që kam thënë se mund të ketë pasur zhurmë që është kthimi i faqeve apo zhurmë letrash, por ka qenë e paqartë nga ta dinë këta personat që ktheheshin faqe dhe si e kanë dalluar këtë gjë...Hafetz:Pra, ju thoni që nuk mund të transkriptohet tingulli si tingulli i kthimit të fletëve... Fraser: Është çështja tek terminologjia që disa tinguj janë objektivisht të transkriptueshëm e disa jo mendoj se është e vështirë të kuptohet se çfarë vërtetë mund të transkriptohet në mënyrë objektive nga një audio. Koncepti në vetvete është e vështirë... Hafetz: Po ju jeni personi që keni thënë këto fjalë objektivisht i transkriptueshëm tani ju s’po kuptoni terminologjinë tuaj....Fraser: Kam thënë shkon përtej asaj që është objektivisht e transkriptueshme..Hafetz:E keni problem vetë termin që keni përdorur objektivisht e transkriptueshme në raportin tuaj...Fraser: Jo nuk jam kundër kësaj që kam thënë nuk po e hedh poshtë”, ishte diskutimi mes tyre.
Nëdrsa, në pyetjen e e ZPS-ë, lidhur me atë nëse transkriptuesi i tyre ka qenë objektiv dhe a ka shënuar mirë tingullin e zhurmës së letrës, këtë më pas e konfirmoi vetë ekspertja.
Hafetz: Transkriptuesi i ZPS-së a ishte objektiv kur shënoi në transkripit tingullin e zhurmës
“A mendoni se një transkriptues i ZPS-së e ka shënuar siç duhet transkript tingullin e zhurmës së letrës siç e kanë dëgjuar a mendoni se kanë qenë objektiv... Fraser: Po”, u shprehen ata.
Ekspertja e linguistikës forenzike, Helen Fraser e cila dje ka nis dëshminë e saj në Speciale gjatë marrjes në pyetje nga mbrojtja e ish-presidentit, Hashim Thaçi deklaroi se kishte përdorur Inteligjencën Artificiale për transkriptim të audiove që u janë ofruar në dispozicion nga mbrojtja e Thaçit.
Në këtë rast gjyqësor, nën akuzën për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë janë ish-presidenti Hashim Thaçi, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu, Isni Klaj dhe Hajredin Kuçi.
Në seancën fillestare më 27 shkurt 2026, të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që iu ngarkohen.