​Kalim “mezi” i pragut apo rezultat dyshifror për AAK-në? Flet Besnik Tahiri

Aktuale

​Kalim “mezi” i pragut apo rezultat dyshifror për AAK-në? Flet Besnik Tahiri

Më: 12 maj 2026 Në ora: 16:50
Besnik Tahiri

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të ketë rezultat dyshifror në zgjedhjet e 7 qershorit, thotë anëtari i Kryesisë së kësaj partie, Besnik Tahiri. Sipas tij, kjo parti do të jetë befasia e zgjedhjeve, për rezultatin pozitiv që do ta arrijë, e jo për kalimin “për një fije peri” të pragut elektoral prej 5 për qind.

Tahiri në një intervistë për KosovaPress thotë se AAK-ja do të dalë shumë mirë në votime për shkak se po garon si parti e konsoliduar dhe me risi në listën zgjedhore.

A e kalon AAK-ja pragun?

“Gjysmën e Kosovës e udhëheq Aleanca. Pesë komunat kryesore, domethënë të cilat janë edhe si simbol i qeverisjes së mirë i udhëheq Aleanca. Aleanca është partia që e ka bërë opozitën më të drejtpërdrejtë, që e ka ballafaquar këtë opsion politik më së fuqishmi në parlament. Aleanca e ka listën që del nesër, bëhet publike, e cila nuk mundet me ia gjetur një shije askujt. Aleanca e ka udhëheqës, kryetar partie Ramush Haradinaj, që është njeri i dëshmuar që secili shqiptar mundet me e qitë kryet në jastëk me fjetë i lirë kur të është ai në udhëheqje”, thotë ai.

Tahiri tha se edhe mandatari për kryeministër i AAK-së, Ardian Gjini, i ka dhënë një shtysë shtesë frymës pozitive për Aleancën, gjithandej Kosovës.

Tahiri: Aleanca do të ketë rezultat dyshifror në zgjedhjet e 7 qershorit

“Aleanca e ka bukur jetike me dalë në rezultat dyshifror. Unë jam i bindur që rezultati ynë në këto zgjedhje do të jetë dyshifror, që si aleancë do të tregojmë që jo vetëm që nuk garojmë për gjashtë deputetë... Mirëpo garojmë me një ekip bukur të fortë, e cila do të jetë befasia më e madhe e këtyre zgjedhjeve”, shton ai.

Në intervistën për KosovaPress, Tahiri tha se lista e kësaj partie, duke përfshirë edhe dhjetëshen e parë, do të jetë me goxha risi.

Kush janë risitë e dhjetëshes së parë të AAK-së?

“Zakonisht procedura, qysh është në Këshillin Drejtues, lista fillimisht aprovohet si listë alfabetike. Pastaj ajo renditja nuk e ka shumë rëndësi. Një e dimë saktë, që i prin Gjini, që kryetari Haradinaj deputetë, ndoshta ekskluzive është që do të jetë Bali Muharremaj në listë, do të garojë, diçka si më la shumë përshtypje të mirë. Pastaj në listë, do të thotë, do të jetë edhe Dauti. Në listë, do të thotë, janë një ekip i njerëzve të cilëve nuk ua di numrat se nuk e di as numrin tim. Nuk e di, për shkak se numrat nuk i di as numrin tim. Edhe po them me përgjegjësi. Ajo është një diskutim pastaj që bëhet, për shkak se ka një rrjedhë të numrave. Kriteri themelor për numër është gjithsesi vota. Mirëpo përveç votës, janë edhe prurjet e reja, njerëz që kanë ardhur të cilët nuk i kam diskutuar. Mirëpo ajo që mund të them është kjo listë, e shihni edhe vetë, do të jetë listë me të vërtetë konkurruese”, shton ai.

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, shpeshherë në Kuvendin e Kosovës ka qenë i ashpër në deklaratat e tij ndaj kryeministrit tashmë në detyrë, Albin Kurti, duke e quajtur “hajn dhe mashtrues”.

I pyetur nëse kjo gjuhë e Haradinajt ndaj Kurtit mund të shpërblehet apo ndëshkohet në zgjedhjet e ardhshme, Tahiri thotë se lideri partiak i thotë qëndrimet e tij bazuar në argumente dhe nuk mund të heshtë, para, siç shton ai, padrejtësive.

Gjuha e ashpër e Haradinajt ndaj Kurtit, a do të shpërblehet apo ndëshkohet?

“Po çka me bë tash, kryetari Haradinaj me pa atë defektin që është thelbësor e me e shuajt atë, me e lëmuar dikë? Jo bre Erduan. Kur ti je në opozitë, duhesh me i artikuluar qëndrimet e tua me argumente. Pse po e them këtë? E para, se sa është qeverisja e mirë, ju e dini, unë vetë jam profesor i kësaj teme, mësoj në universitet. Se sa është qeverisja e mirë apo e keqe, kjo varet prej treguesve, indikatorëve... Fillimisht ka qenë gabimi i parë kur ne i kemi bërë si të PAN-it. Edhe na kanë futur të gjithëve në një thes. Nuk jam unë as me PDK-në, as me LDK-në, as me VV-në, ne kemi qenë PAN, na kanë futur. Po kupton, Aleanca u fut në një thes me parti politike të Kosovës, me Vetëvendosjen, me PDK-në, me LDK-në, të cilat kanë qenë të gjitha në pushtet më larg se ne dhe thonë ju jeni garda e vjetër. Po çfarë garde e vjetër? Dy vjet kemi qenë në pushtet, unë po të kallëzoj çka kam bërë për dy vjet. A din çka?”, thekson ai.

AAK në zgjedhjet e fundit, ato të 28 dhjetorit 2025 ka qenë pak përmbi pragun zgjedhor me 5.5 për qind, apo gjashtë deputetë në Kuvendin e Kosovës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat