Pas takimit Costa-Kurti dalin detajet – ja çfarë biseduan

Aktuale

Pas takimit Costa-Kurti dalin detajet – ja çfarë biseduan

Më: 3 qershor 2026 Në ora: 08:12 Përditësuar në ora: 16:52 më 03.06.2026
Foto nga takimi

Zgjedhjet, Costa mesazh liderëve politik: BE mund ta mbështesë Kosovën, por jo t’i kryejë detyrat e saj

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa në konferencën për media ka dërguar një mesazh për liderët politik me të cilët është  takuar sot, duke theksuar se partneriteti me Bashkimin Evropian shoqërohet me përgjegjësi dhe angazhim konkret për reforma.

Duke iu referuar zhvillimeve politike në vend, Costa tha se Kosova po shkon drejt zgjedhjeve këtë fundjavë dhe deklaroi se Bashkimi Evropian mund ta mbështesë Kosovën, por nuk mund t’i kryejë detyrat e saj.

“Kosova po shkon në zgjedhje këtë fundjavë dhe mesazhi im për të gjithë liderët politik me të cilët u takova sot ishte i thjeshtë, partneriteti vjen me përgjegjësi. Bashkimi Evropian mund ta mbështesë Kosovën, por nuk mund t’i kryjë detyrat e saj, në vend të saj”, u shpreh ai.

Ai theksoi se Kosova ka nevojë për institucione të forta, të qëndrueshme dhe funksionale, të afta për të zbatuar reforma dhe për të përfituar nga mundësitë që ofron Bashkimi Evropian.

“Kosova ka nevojë për institucione të forta, të qëndrueshme dhe funksionale, të afta për të realizuar reforma dhe për të shfrytëzuar mundësitë që ofron Bashkimi Evropian”, tha Costa.

Sipas presidentit të Këshillit Evropian, integrimi evropian duhet të jetë prioritet i përbashkët i të gjithë akterëve politik, siç u shpreh, pavarësisht dallimeve dhe përçarjeve politike.

“Në takimet e mia të sot kam inkurajuar të gjithë akterët politik që ta bëjnë integrimin evropian prioritet, përtej ndarjeve, e përçarjeve politike dhe të punojnë së bashku drejt këtij objektivi të përbashkët”, deklaroi ai.

Costa: Sot kemi investuar 3.7 miliardë euro, jemi të gatshëm të bëjmë edhe më shumë

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa në konferencën për media ku është shprehur se Bashkimi Evropian ka qenë ofruesi më i madh i asistencës financiare për Kosovën.

Ai deklaroi se sot kanë investuar 3.7 miliardë euro në fusha të ndryshme dhe tha se janë të gatshëm të bëjnë edhe më shumë.

“Sot kemi investuar 3.7 miliardë euro në arsim, infrastrukturë, energji, mjedis, biznese, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit dhe jemi të gatshëm të bëjmë edhe më shumë.

Kjo, sepse ne besojmë që e ardhmja e Kosovës është në Bashkimin Evropian”, tha ai.

Kurti në takim me Costan: Kosova e gatshme për statusin e vendit kandidat në BE

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në takim presidentin e Këshilli Evropian, António Costa, në kuadër të vizitës së tij në Kosovë, dy ditë para Samitit Samiti Bashkimi Evropian–Ballkani Perëndimor në Tivat.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, Kurti e falënderoi Costan për kontributin e Bashkimit Evropian në zhvillimin dhe ndërtimin e Kosovës, duke theksuar se BE-ja mbetet donatori dhe partneri më i madh zhvillimor i vendit.

“Kosova ka shënuar progres të rëndësishëm në reforma, demokraci dhe ekonomi, me përmirësime në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit, lirinë e mediave dhe demokracinë zgjedhore e liberale, si dhe me rritje ekonomike të qëndrueshme, ndër më të shpejtat në rajon”, thuhet në komunikatë.

Kurti theksoi edhe përkushtimin e Qeverisë ndaj reformave që burojnë nga Plani i Rritjes dhe instrumentet e tjera të para-anëtarësimit, duke nënvizuar rëndësinë e fitimit të statusit të vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Në takim u bisedua edhe për bashkëpunimin me institucionet e Bashkimit Evropian, sigurinë dhe rëndësinë e fqinjësisë së mirë në funksion të bashkëpunimit rajonal”, thuhet më tej në njoftim.

Po ashtu, u theksua se Kosova është rreshtuar plotësisht me politikën e jashtme të BE-së, ka dënuar agresionin e Rusia ndaj Ukraina dhe i është bashkuar të gjitha sanksioneve të Bashkimit Evropian kundër Rusisë.

Kjo ishte vizita e dytë e Costas në Prishtinë, pas asaj të realizuar në maj të vitit të kaluar.

“Në dritën e progresit të shënuar në vitet e fundit, me forcimin e sundimit të ligjit, avancimin e lirive, forcimin e institucioneve demokratike dhe zhvillimin ekonomik, Kosova është e gatshme për statusin kandidat dhe hapjen e negociatave”, theksohet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

​Costa në Prishtinë, Haxhiu: Anëtarësimi në BE mbetet orientim strategjik

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, priti sot në takim Presidentin e Këshillit Evropian, António Costa, në kuadër të vizitës së tij në Ballkanin Perëndimor dhe përpara Samitit BE-Ballkani Perëndimor, i cili do të mbahet në Tivat.

Sipas njoftimit, u.d. Presidentja Haxhiu e falënderoi Presidentin Costa për vizitën në Kosovë dhe për vëmendjen e vazhdueshme të Këshillit Evropian ndaj rajonit. Ajo theksoi se për Republikën e Kosovës, anëtarësimi në Bashkimin Evropian mbetet orientim strategjik, zgjedhje politike e qytetarëve dhe interes afatgjatë shtetëror.

“U.d. Presidentja Haxhiu nënvizoi se Kosova mbetet një nga shoqëritë më proevropiane në rajon. Për qytetarët e saj, Bashkimi Evropian është bashkësi e demokracisë, sundimit të ligjit, paqes dhe dinjitetit. Në një kohë ndikimesh të dëmshme në rajon, orientimi i qartë dhe i rrënjosur evropian i Kosovës duhet të shihet si vlerë për vetë Bashkimin Evropian”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, në takim u diskutua për rrugën evropiane të Kosovës, për nevojën e avancimit të procesit të integrimit, si dhe për rëndësinë e zbatimit të reformave që lidhen me Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor. U.d. Presidentja Haxhiu theksoi se Kosova e sheh këtë Plan si mundësi konkrete për zhvillim ekonomik, për afrim me tregun e përbashkët evropian dhe për përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët.

“Presidenti Costa theksoi se çështjet që lidhen me integrimin në Bashkimin Evropian dhe zbatimin e Planit të Rritjes kërkojnë pajtim ndërpartiak dhe konsensus kombëtar në Kosovë, përtej dallimeve politike dhe partiake. Në këtë frymë, u.d. Presidentja Haxhiu theksoi se Kosova mbetet e përkushtuar për ta çuar përpara agjendën evropiane përmes reformave, koordinimit institucional dhe bashkëpunimit të ngushtë me Bashkimin Evropian. Ajo shtoi se Kosova ka dëshmuar përkushtim ndaj demokracisë, sundimit të ligjit, të drejtave themelore dhe bashkëpunimit me Bashkimin Evropian”, thuhet në njoftim.

Në takim u diskutua edhe për zhvillimet në rajon, për rëndësinë e sigurisë dhe stabilitetit, si dhe për nevojën që perspektiva evropiane e Ballkanit Perëndimor të shoqërohet me hapa konkretë, të drejtë dhe të barabartë për të gjitha vendet që zbatojnë reformat dhe respektojnë vlerat evropiane.

U.d. Presidentja Haxhiu ritheksoi se Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar për marrëdhënie të ngushta me Bashkimin Evropian dhe për një proces integrues që vlerëson meritat, përmbushjen e kritereve dhe përparimin e Kosovës.

Ndryshe, Costa gjatë ditës ka takuar edhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti. 

Costa në Prishtinë: Duhen institucione të forta

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, ka deklaruar se ndodhet në Prishtinë për të riafirmuar mbështetjen e vazhdueshme të Bashkimit Evropian për Kosovën.

Në një postim në rrjetin social “X”, Costa ka bërë të ditur se është takuar me ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, si dhe me liderët e partive opozitare.

Ai ka theksuar se, në prag të zgjedhjeve të kësaj fundjave, partneriteti me BE-në nënkupton edhe përgjegjësi nga ana e institucioneve dhe aktorëve politikë në Kosovë.

Costa ka inkurajuar liderët politikë që integrimin në Bashkimin Evropian ta vendosin si prioritet mbi ndarjet politike dhe të bashkëpunojnë drejt këtij qëllimi të përbashkët.

Po ashtu, ai ka theksuar nevojën për institucione të forta, të qëndrueshme dhe funksionale në Kosovë, të afta për të zbatuar reforma, për të shfrytëzuar mundësitë që ofron BE-ja dhe për të përmbushur zotimet në kuadër të dialogut Kosovë–Serbi.

“Sot jam në Prishtinë për të riafirmuar mbështetjen e vazhdueshme të BE-së për Kosovën. U takova me ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ushtruesin e detyrës së kryeministrit Albin Kurti dhe me liderët e partive opozitare. Ndërsa Kosova shkon drejt zgjedhjeve këtë fundjavë, mesazhi im është i thjeshtë: partneriteti ynë vjen me përgjegjësi. I kam inkurajuar liderët politikë që ta vendosin integrimin në BE si prioritet, përtej ndarjeve politike, dhe të punojnë së bashku drejt këtij qëllimi të përbashkët. Kosova ka nevojë për institucione të forta, të qëndrueshme dhe funksionale, të afta për të zbatuar reforma, për të shfrytëzuar mundësitë që ofron Bashkimi Evropian dhe për të përmbushur të gjitha zotimet në kuadër të dialogut”, ka shkruar Costa.

Kurti pret në takim Antonio Costan

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti po pret në takim Presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa.

Costa po viziton Kosovën si pjesë e turneut të tij rajonal përpara Samitit BE-Ballkani Perëndimor.

Para takimit me Kurtin, Costa zhvilloi takim edhe me u.d së Presidentes, Albulena Haxhiu.

Kujtojmë se zyrtari i lartë evropian të martën qëndroi në Shqipëri ku gjatë një konference me kryeministrin shqiptar, Edi Rama, vlerësoi progresin e Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Nis takimi mes Albulena Haxhiut dhe Antonio Costës në Prishtinë

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, po pret në takim Presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa.

Takimi po zhvillohet në Presidencë.

Pas Haxhiut, zyrtari i lartë evropian do të zhvillojë një takim në Prishtinë me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.

----

Presidenti i Këshilli Evropian, Antonio Costa, do të qëndrojë sot për vizitë zyrtare në Kosovë, në kuadër të turneut të tij në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Gjatë qëndrimit në Prishtinë, Costa do të zhvillojë takime me udhëheqësit më të lartë institucionalë dhe me përfaqësues të subjekteve politike.

Sipas agjendës së paralajmëruar, ai do të takohet me Ushtruesen e Detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, si dhe me Kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.

Po ashtu, në fokus të vizitës do të jenë edhe takimet me përfaqësues të partive politike.

Vizita e Presidentit të Këshillit Evropian vjen në një periudhë të rëndësishme për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Bashkimi Evropian, ndërsa në qendër të diskutimeve pritet të jenë procesi i integrimit evropian, reformat demokratike, dialogu rajonal dhe perspektiva e zgjerimit të BE-së.

Në prag të vizitës, Costa ka theksuar se turneu i tij në rajon synon të dërgojë një mesazh të qartë për angazhimin e Bashkimit Evropian ndaj Ballkanit Perëndimor.

Sipas tij, aktualisht ekziston një momentum i ri në procesin e zgjerimit, por përparimi i secilit vend do të varet nga rezultatet konkrete në zbatimin e reformave dhe përmbushjen e kritereve evropiane.

Pas vizitës në Kosovë, Presidenti i Këshillit Evropian do të marrë pjesë më 5 qershor në Samitin BE–Ballkani Perëndimor, që do të mbahet në Tivat.

Tema e samitit do të jetë “Prosperiteti dhe stabiliteti i përbashkët i Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor”, ku liderët evropianë dhe ata të rajonit do të diskutojnë për forcimin e bashkëpunimit politik, ekonomik dhe të sigurisë.

Vizita e Costës konsiderohet një sinjal i rëndësishëm i vëmendjes së shtuar të Brukselit ndaj rajonit, në një kohë kur integrimi evropian mbetet një nga prioritetet kryesore të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat