“Nuk jam këtu për veten time”, Kurti u bën thirrje partive për marrëveshje
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka komentuar incidentin e sotëm në Kuvend, ku ndaj tij u hodhën vezë nga një deputete e opozitës. Kurti ka thënë se, për të, veprime të tilla janë çështje dytësore në raport me nevojën për një marrëveshje politike për krijimin e institucioneve.
“Për mua, të gjitha çështjet janë të dorës së dytë ose të tretë, krahasuar me marrëveshjen që na duhet”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka thënë se nuk është në politikë për veten e tij, por për Republikën e Kosovës, duke u bërë thirrje partive politike që të ulen dhe të dialogojnë.
“Unë nuk jam këtu për veten time. Unë jam këtu për Republikën e Kosovës dhe kërkoj që edhe të tjerët të ulemi dhe për Republikën e Kosovës të bëjmë marrëveshje”, është shprehur ai.
Kurti ka thënë se është i gatshëm të përballojë edhe veprime të tilla, nëse ato do të çonin në uljen e palëve në tryezën e dialogut.
“Nëse gjuajtja me vezë dhe goditja e sakos dhe pantallonave të kryeministrit nga vezët që i hedh një deputete është çmimi që unë duhet ta paguaj në mënyrë që ata të ulen dhe të bisedojmë e të dialogojmë, jam i lumtur ta paguaj këtë çmim, vetëm le të vijnë në takim”, ka thënë Kurti.
Në fund, ai ka theksuar se problemi kryesor, sipas tij, nuk është incidenti me vezët, por refuzimi i takimeve politike.
“Unë nuk ankohem që ata hedhin vezë, ankohem që ata s’duan të takohen”, ka deklaruar Kurti.