Analisti Ilir Deda ka reaguar lidhur me qëndrimin e gjashtë deputetëve të LDK-së, të cilët kanë dalë kundër marrëveshjes me LVV-në.
Deda ka thënë se deputetët është dashur që në fillim të negociatave të deklaronin publikisht se nuk do ta përkrahnin asnjë marrëveshje mes dy partive.
Sipas tij, ata duhet të shpjegonin edhe arsyet pse janë për zgjedhje të reja, duke i cilësuar si “shkaktarët kryesorë të shkuarjes në zgjedhje të reja parlamentare”.
Postimi i plotë:
Gjashtë deputetët e LDK është dashur që në fillim të negociatave të partisë së tyre me LVV të tregojnë publikisht që nuk do ta përkrahin asnjë marrëveshje të dy partive.
Mund të sqaronin edhe që janë të vendosur që Kosova të mbajë edhe një palë zgjedhje parlamentare si kundërshtar konsistent të pushtetit të tanishëm.
Do të duhej të bënin arsyetim të gjatë pse zgjedhjet e reja nuk do t'i konvenonin bash LVV-së dhe se nuk do të dëmtonin bash LDK-në.
Si institucionalistë që janë, do t'i vinin në dispozicion nënshkrimet e tyre për kërkesë drejtuar Gjykatës Kushtetuese ndaj shkeljes së afatit kushtetues për konstituimin e Kuvendit.
Ndërsa tre deputetë nga ky grup do të duhej të arsyetonin një fakt- pse vendimet e kryesisë së partisë se tyre në vitin 2016 ishin obligative për ta, ndërsa nuk janë obligative vendimet e kryesisë në vitin 2026.
Dhe kështu pra do ta hiqnin nga vetja barrën e madhe që e morën, si shkaktarët kryesorë të shkuarjes në zgjedhje të reja parlamentare.