Kryeministri kanadez Justin Trudeau është larguar nga India pasi u zgjidh problemi teknik me aeroplanin e tij.
Trudeau duhet të ishte larguar të dielën, pas një takimi të tensionuar me kryeministrin indian, Narendra Modi në samitin e G20.
Por, atij iu desh të qëndronte në Indi për dy ditë të tjera për shkak të një problemi teknik të avionit.
Trudeau ngeli i bllokuar në Delhi, me delegacionin e tij, për shkak të një problemi teknik me avionin e Forcave Ajrore Kanadeze.
Trudeau, i cili nuk kishte asnjë angazhim institucional në Indi, zgjodhi të kalonte 24 orët e paplanifikuara në dhomën e tij në hotelin “Lalit”, së bashku me djalin e tij 16-vjeçar, Xavier, i cili e shoqëroi në ndalesat e tij të mëparshme në Xhakartë dhe Singapor.
Në një deklaratë qeveria indiane shprehu shqetësim të fortë për aktivitetet e vazhdueshme antiindiane të elementëve ekstremistë në Kanada, duke iu referuar grupeve separatiste pro-Khalistan sikh.
Trudeau udhëtoi me një Airbus A310-300, i konvertuar në një CC-150 Polaris.
Çuditërisht, edhe në vitin 2018, në përfundim të një vizite shtetërore në Indi, avioni që duhej të sillte kryeministrin në shtëpi kishte probleme teknike.